Nga Edi Paloka
Meqenese shumë miq, anëtarë të Këshillit Kombëtar, që deri me sot kanë qëndruar asnjanës (disa prej tyre dhe nga ata që Basha i konsideron “nën kontroll”) më kanë shkruajtur dhe telefonuar të shqetësuar për aktin që kërkojnë ti mbledhin sot, po dhe për interesimin e mediave, po bej këtë reagim:
Dje Kuvendi i PD, i mbledhur sipas parashikimit në statut, nga delegatët e tij, mori disa vendime të rëndësishme. Ndër to ngritjen e Komisionit të Rithemelimit të PD, i cili do të ketë edhe detyrën e pergjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve për kryetarin e ri të PD.
Akti e mbrëmshëm po dhe ky i sotmi është thjeshtë në vazhdën e akteve të fundit , që me keqeardhje të plotë e shpreh, po e bejnë gjithnjë e më qesharake situatën në atë seli. Basha është shkarkuar dje nga Kuvendi, po edhe ne, të cilëve ai ka shpallur se do të na shkarkoka sot, jemi nga dje pjesë e Komisionit të Rithemelimit të PD.
Ata, sekretarët, që kërkon kryetari i shkarkuar, të shkarkojë sot, kanë votuar dje bashkë me delegatët e tjerë, për shkrirjen provizore edhe të funksioneve të tyre…
Pra miqtë e mi, mos u ndjeni aspak në siklet për pozitën time. Karrigia nuk ka qenë kurre halli im, për këtë mjafton historia ime në 31 vitet në PD që ta kuptojë kushdo edhe ata që nuk më njohin. Une jam i shqetësuar për ju dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Kombëtar sepse në fund të fundit përfaqesojnë demokratët prandaj nuk do doja ti shihja në këtë gjendje aspak dinjitoze dhe për fat të keq deri qesharakë, ku po i shtyn Basha.
E shpreh me sinqeritetin më të madh, se në gjithë këtë situate, keqardhjen dhe dhimbjen më të madhe e kam pikërisht për Lulzim Bashën. Sinqerisht e përsëris, për hir të viteve që kemi kaluar ai si kryetar e une si nënkryetar, ndjej keqardhje kur shoh se si arriti në këtë pikë.
Mendoja se të paktën do dinte të tregohej pak me dinjitoz dhe i mençur.
Sidoqoftë , e rendësishme është e ardhmja e PD dhe unë kam bindjen se që nga dje, demokratët janë ngritur dhe një herë në kembë! Me këtë rast do i ftoj dhe një herë, të gjithë, të bashkohemi për interesin e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve sepse edhe interesi personal i gjithesecilit prej nesh është i lidhur me interesat e tyre.
Rrëzimi i rregjimit dhe rikthimi i PD në fitore duhet të jetë i vetmi interes që na bashkon!