Partia Demokratike nuk ka ndryshuar qëndrim, ajo nuk pranon të ulet në dialog me Edi Ramën Kryeministër.
Një ditë pasi Fatmir Mediu zbuloi për Top Channel dështimin e realizimit të një tryeze mes mazhorancës dhe opozitës, nënkryetari demokrat Edi Paloka këmbëngul në kushtin e tyre të panegociueshëm , i cili duket si pengesa kryesore për uljen e palëve në dialog.
“Pozicioni i PD nuk ka ndryshuar në asgjë. Ram si kryeministër nuk mund të ulet në tavolinë me PD dhe me opozitën. Si kryetar i PS është çështje e tyre, ne nuk mund të vendosim kush është kryetari i PS”, tha Paloka.
Ndryshe nga sa bënë aleatët e saj, demokratët nuk do dorëzojnë asnjë kërkesë për regjistrim për të marrë pjesë ne zgjedhjet e 13 tetorit të shpallura nga Ilir Meta, edhe pse njohin dekretin presidencial.
“Pjesëmarrja apo jo e PD lidhet me rrethana të tjera, për ne nuk është e rëndësishme data e zgjedhjeve. Për ne të rëndësishme janë standardet, por kjo nuk mund të shmangë institucionet zgjedhore nga detyrimi kushtetues për të zhvilluar procedurat”, tha ai.
Numri dy i PD-së lëshoi akuza të forta ndaj kryebashkikaëve socialist, duke i paralajmëruar më ndëshkime ligjore kur të djathtët të vijnë në pushtet.
“Ata kanë marrë edhe pozitat e grabitësit të vërtetë, i thyenë dyert, edhe atë që po marrin po e marrin me dhunë, se e di kushdo që vetëm me zgjedhje nuk kanë hyrë në ato zyra”, përfundoi ai./TCh/