Ushtarët rusë akuzohen se kanë marrë peng 169 ushtarë të Gardës Kombëtare të Ukrainës si dhe kanë grabitur edhe sendet personale të vlefshme personelit të centralit bërthamor të Çernobilit teksa largoheshin prej aty javën e kaluar.
Zyrtarët vendas publikuan disa foto nga ambientet e centralit, tashmë sërish nën kontrollin e Ukrainës. Në foto shihet sesi janë kthyer përmbys dhomat ku qëndronte stafi i impiantit, pasi ushtarët rusë kërkonin për sende me vlerë, para, apo kompjuterë për t’i marrë me vete.
Centrali famëkeq, në të cilin pati një shpërthim tragjik në vitin 1986, u mor nga rusët që në ditën e parë të pushtimit, më 24 shkurt, por iu dorëzua vendasve javën e kaluar pas tërheqjes nga veriu i Ukrainës.
Sipas ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Denys Monastyrsky, 169 ushtarë të Gardës Kombëtare u mbajtën peng në bodrumet e centralit, duke u lënë për gati një muaj pa dritë natyrale, ajër të pastër dhe pa iu dhënë asnjë informacion.
“Ata u mbajtën mbyllur për 30 ditë dhe i morën me vete kur u larguam. Sot nuk dimë asgjë për fatin e tyre”, tha Monastyrsky për CNN. “Ushtria ruse kontrolloi rrobat, sendet perosnale të ukrainasve për t’u marrë gjithçka. Plaçkitën centralin”.