Janë publikuar pamjet e sulmit me armë në Hamburg të Gjermanisë, ku një grumbullim paqësor për lutje u shndërrua në një ferr të shtënash, ulërimash dhe gjakderdhjeje e ku humbën jetën shtatë persona.
Një godinë e përdorur nga dëshmitarët e Jehovait u vu në shënjestër nga një person i armatosur qa hapi zjarr kundër rreth 50 besimtarëve qe ishin mbledhur për një mësim Bible rreth orës 9 të mbrëmjes.
“Dëgjuam të shtëna, mbi 12 të tilla. Pastaj pamë njerëz që nxirreshin të mbuluar me qese nga godina e Dëshmitarëve të Jehovait. Skena me të cilën u përballën ekipet e ndërhyrjes së shpejtë ishin rrëqethëse, gjak kudo, persona nën shok ose të plagosur që dilnit të tmerruar në rrugë.”, u shprehën dëshmitarët në vendngjarje.
Bilanci ende fillestar, flet për 7 të vdekur, përfshirë edhe agresorin, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur.
“Jam një banor këtu. Dëgjova të shtëna dhe dola në dritare për të parë se çfarë po ndodhte. Më pas pash një burrë që qëllonte me armë zjarri dhe filmova me celular.”, u shpreh një tjetër dëshmitar.
Ngjarja e tmerrshme nxiti menjëherë frikën se mund të bëhej fjalë për një sulm terrorist, por sipas mediave gjermane agresori ishte një ish-pjesëtar i Dëshmitarëve të Jehovait, mes moshës 30 dhe 40 vjeçare.
Policia tha se ai kishte vepruar i vetëm, por motivet mbeten ende të paqarta. Kancelari gjerman Olaf Scholz e përshkroi këtë si një akt brutal dhune dhe tha se mendimet e tij shkojnë për viktimat dhe familjarët e tyre.
Në një deklaratë komuniteti i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, që është edhe mes më të mëdhenjve në botë, tha se ishte i hidhëruar për këtë sulm të tmerrshëm ndaj pjesëtarëve të vet.