Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri reagoi sot pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për shtyrjen e fillimit të vitit shkollor.
Sipas Pampurit, ky vendim dëshmon se Ministria e Arsimit ka dështuar me mësimin online dhe mësuesit ndihmës për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuar.
“Boshllëqet nga dështimi i mësimit online dhe mangësitë në mësues ndihmës nuk mund të zgjidhen duke shtyrë datën e nisjes së procesit mësimor, e cila ne vetvete nuk bën gjë tjetër veçse krijon hendeqe të tjera për nxënësit, sa i përket njohurive për vitin e ardhshëm mësimor”, tha ajo.
I gjithë ky çorganizim, sipas Pampurit, vjen pikërisht nga paaftësia për të menaxhuar situatën përballë pandemisë, si me mësimin online, ashtu edhe me mësuesit ndihmës.
“Detyra e qeverisë ishte të bënte mësim plotësues gjatë verës, kur infektimet ishin të pakta. Ndërsa shtyrja e tanishme e mësimit do të ketë efekte zinxhir për mësimdhënien, për familjet, në kushtet e rritjes së kurbës së infektimeve në vjeshtë. Asnjë mësim nuk nxorën nga viti i shkuar, përkundrazi, vijojnë të veprojnë pa plan, duke lënë në mëshirë të fatit nxënësit dhe mësuesit”, tha ajo.