“Muaji maj do ta gjej Shqipërinë me kufij të hapur”, u shpreh ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko.
Ai sqaron se kjo nuk nënkupton një rikthim të gjendjes normale, pasi ky liberalizim i lëvizjes do të jetë me rregulla të përcaktuara.
“Puna e strukturave administrative po përpiqet brenda mundësive që maji të na gjejë me një situatë sa më të liberalizuar për të gjithë shtetasit që duan të rikthehen ose ata që duan të largohen nga vendi për tu krijuar atyre mundësi. Por dua të nënvizoj faktin se nuk do të thotë se do rikthehemi në gjendje normale. Do ketë një lëvizje me rregulla të përcaktuara të cilat hap pas hapi do të tejkalohen. Regulla të cilat ne i kemi shumë të rëndësishme se kanë të bëjnë me jetën e njeriut”, shprehet Majko.
Majko zbardh detaje edhe nga komunikimi që kryeministri Rama pati sot me homologun grek, për shqiptarët që duan të kthehen por edhe për ata të cilët bëjnë punë sezonale në shtetin fqinj.
“Rama ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin grek Mitsotakis, për këtë cështje. Sidomos sa i përket situatës së koronavirusit dhe për të stabilizuar atë marrëdhënie të vecantë e cila rivlerësohet nga shtetasit tanë në një numër të madh që punojnë aktualisht në Greqi. Jo vetëm ata që janë rezidentë, por sidomos ata që shkojnë për punësim sezonal. Ju e dini që Greqia ka shpallur interes të veçantë për këtë”, shprehet Ministri i Diasporës.
Majko shprehet i bindur se liberalizimi i lëvizjeve do të shpëtojë këtë vit turizmin. “Vera që vjen do ta gjejë Shqipërinë më fleksibël, më të liberalizuara qoftë lëvizjes dhe situatës në përgjithësi. Por duhet të kemi parasysh dicka që këtë situatë nuk e parashikojmë dot. Kërkohet një mirëkuptim se kjo që po ndodh, nuk po ndodh vetëm me Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishem është që Shqipëria e vuri poshtë që mund të na vendoste ne poshtë. Pas lehtësimit në maj, këtu do vihet për të bërë turizëm”, shprehet ministri Pandeli Majko.
Ministri i Shtetit për Diasporën njofton se shtetasit e sëmurë të cilët do riatdhesohen nuk do të qendrojnë në hotel, por në shtëpitë e tyre. Ndërkohë, lidhur me abuzimet për cmimet e hotelit dhe biletave Majko fton qytetarët të denoncojnë rastet.
“Qytetarët e sëmurë të riatdhesuar nuk do të qendrojnë në hotel, por në shtëpi. Monitorimi i lëvizjeve të qytetarëve që kthehen ose ikin bëhet nga Ministria e Infrastrukturës. Standartet janë të publikuara. Nëse ka raste të abuzimeve, nëse ka marrje pagesash mbi ato të publikuara është abuzim i pastër, dhe ata duhet të ankohen. Jemi sy e veshë për të vlerësuar nëse ka shkelje për të ndërhyrë”.
Tërheqjen e përkohshme të qeverisë Shqiptare nga konventa Europiane për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, Majko e quan të nevojshme, pasi sipas tij, ndonëse për një qëllim të caktuar, të drejtat themelore të njeriut janë shkelur.
“E vërteta është se i kemi mbyllur në shtëpi njerëzit dhe shumë nga të drejtat themelore, janë kufizuar. Mendoj të jemi realist, mos e marrim me dramë të madhe, të shohim distancën e asaj që shkruhet në lehtër dhe realitetit. Ne sot, në kuptimin e asaj që ishte përpara, po shkelim të drejtat e njeriut. Janë thyer rregulla morale të pashkelshme në vendin tonë, rregullat e mortit”.
Ministri i Shtetit për Diasporën njofton se riatdhesimet do të vazhdojnë edhe në shtete të tjera, për këtë arsye fton qytetarët të drejtohen pranë konsulatave të vendeve ku ndodhen.
“Çdo shtetas shqiptar që do vijë do ndjekë një procedurë të caktuar. Do u lutesha qytetarëve të shohin faqen e Ministrisë së Transporteve, të kërkojnë ndihmë te trupat tanë diplomatikë, të kërkojë informacion pranë konsullatës së vendit ku jeton, ambasadën, pasi janë zëdhënësit kryesor të proedurave që duhet të ndjekin”, thotë Majko për Report tv.