Sektori i gastronomisë llogaritet të jetë sektori që ka pësuar më së shumti humbje financiare që nga 13 marsi i këtij viti kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente për parandalimin e koronavirusit të ri.
Segmentet më të dëmtuara të këtij sektori janë restorantet, hotelet, baret dhe klubet e natës/diskotekat si dhe sallat e dasmave, që nuk kanë alternativa tjera të të bërit biznes. Kurse edhe tash pas lehtësimit të masave kufizuese, e vetmja formë e lejuar e një pjese të veprimtarisë është ofrimi i ushqimeve përmes shpërndarjes.
Organizatat joqeveritare në Kosovë thonë se humbjet llogariten të jenë të konsiderueshme për sektorin direkt, por edhe për sektorët e tjerë që në ndonjë mënyrë janë të ndërlidhur me këtë sektor.
Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, (IETL) i themeluar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka publikuar rezultatet e një hulumtimi në këtë sektor, para, gjatë dhe pas pandemisë.
Drejtoresha ekzekutive në këtë Institut, Besa Zogaj-Gashi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë kohës së masave emergjente, nga të gjitha bizneset e anketuara, vetëm 2,3 për qind kanë zhvilluar veprimtarinë përmes shpërndarjes së ushqimit me një qarkullim simbolik monetar, kurse pjesa tjetër kanë deklaruar se gjatë këtyre muajve qarkullimi i tyre mujore ka pasur rënie në 100 për qind.
“Nëse e krahasojmë qarkullimin mesatar mujor me vitin e kaluar (2019), rreth 16,1 për qind e respodentëve u deklaruan se kanë pasur qarkullim mesatarisht 10,000 deri në 15,000 euro, ndërsa 13,8 për qind e tyre prej 15,000-20,000 euro. Kurse rezultatet e hulumtimit flasin se 67,3 për qind të anketuarve kanë pohuar se qarkullimi i tyre mujore ka pasur rënie 100 për qind”, thotë Zogaj-Gashi.
Me një situatë të tillë është përballur edhe kafiteria “Babel Café” në qendër të Prishtinës, e cila para pandemisë ka pasur të punësuar dhjetë punëtorë. Pronari i kafiterisë Shpat Hashani, më herët ka thënë për Radion Evropa e Lirë se humbjet mujore janë me mijëra euro.
“Humbjet mujore janë me mijëra euro. Dëmi është shumë i madh sepse me qarkullim ditor ne mbulojmë shërbimet komunale, punëtorët dhe të gjitha shpenzimet tjera. Rezervat janë shumë të vogla, pasi gjithsecili biznes, dëshiron të bëjë renovime të ndryshme. Ne së fundmi kemi bërë një renovim shumë të madh në lokal. Po mundohemi të mbijetojmë, por e vështirë është edhe mbijetesa”, ka thënë Hashani.
Gjatë kësaj kohe, sipas hulumtimit, pronarët kanë ndërprerë edhe investimet, kurse nuk kanë arritur të përfundojnë obligimet edhe ndaj furnitorëve si dhe këstet e kredive në bankat komerciale në Kosovë.
Shumica e këtyre bizneseve janë me qira
Shumica e bizneseve, thotë Besa Zogaj-Gashi, veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në objekte me qira, që paraqitet problem shtesë në mundësinë e pagesës së tyre.
Të gjitha këto probleme, sipas saj, në disa raste mund të falimentojë bizneset.
“Bazuar në rezultatet e hulumtimit, situata e krijuar nga pandemia sipas 75,90 për qind e bizneseve të anketuara në sektorin HoReCa (hotele, restorant dhe ofrues i shërbimeve), në Kosovë do të detyrohen të shkojnë në falimentim nëse situata epidemiologjike dhe masat përcjellëse, sidomos distanca sociale do të na përcjellë tutje në muajt e ardhshëm përgjatë vitit 2020”, shtoi ajo.
Për evituar një situatë të tillë, shoqata e gastronomëve të Kosovës kërkojnë ndihmë nga Qeveria e Kosovës. Veton Zuka, nënkryetar në këtë shoqatë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë forma lehtësuese, kryesisht në kredi bankare për këtë sektor, pasi llogaritet se është më i godituri nga pandemia. Ai ndërkaq shprehet se edhe në fazën tjetër të lehtësimit të masave, ky sektor do të punojë me gjysmën e kapacitetit, për shkak të hapësirës në mes tavolinave.
“Kërkesat e gastronomëve janë që të gjejnë mënyra për lehtësim në obligimet e qirasë dhe kësteve të kredive ndaj bankave. Këstet e kredisë që duhet të paguhen, mundësisht të krijohet një greis periudhë njëvjeçare dhe interesin e kësaj periudhe ta garantojë shteti. Fillimisht këto janë kërkesat, sepse deri sa të rifillohet zhvillimi i veprimtarive, nuk dihet shuma e humbjeve financiare. Pastaj edhe më masat e reja, parashihet që puna të zhvillohet përgjysmë”, thotë Zuka.
Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës të vazhdojë masat për lirime nga tatimet dhe subvencione për punëtorë, të ketë subvencione të drejtpërdrejta me kritere me të lehta për kualifikim si dhe subvencionim të qirasë edhe në muajt e ardhshëm për qiramarrësit.
Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës përmes Pakos Emergjente Fiskale, për sektorin privat ka paguar punëtorët e bizneseve të cilët nuk kanë punuar për shkak të masave emergjente, por edhe 50 për qind të qirasë. Kurse tashmë ka filluar përgatitja e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në bazë të cilës do të ndihmohen bizneset përmes kredive, me normë të ulët të interesit.
Në sektorin e gastronomisë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës për vitin 2018, rezultojnë se punojnë rreth 14,000 qytetarë në 3,683 biznese të regjistruara.
Foto e huazuar