Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka urdhëruar që ushtria të qëndrojë në gjendje gatishmërie për t’i ndihmuar pompat e karburanteve, të cilat janë goditur nga blerja masive me panik.
Qeveria britanike tha se vozitësit e ushtrisë do të jenë të gatshëm për të ndihmuar në transportimin e karburanteve për një kohë të shkurtër, por nuk njoftoi për angazhimin e menjëhershëm të tyre, ndonëse disa punëtorë të sektorëve kyçë nuk kanë mundur të shkojnë në punë për shkak të mungesës së karburanteve.
Vendimi i qeverisë u mor gjatë një takimi të ministrave të hënën. Pjesëtarë të industrisë së naftës kanë thënë se shkaktar kryesor i problemeve është paniku i konsumatorëve e jo mungesa e vërtetë e karburanteve.
Njerëzit po vazhdojnë të presin në radhë me veturat e tyre para pompave të benzinës, pavarësisht paralajmërimit të qeverisë se një sjellje e tillë vetëm është duke e përkeqësuar gjendjen, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Kompanitë e njohura të karburanteve si “Shell”, “British Petroleum” dhe “Esso” thanë se Mbretëria e Bashkuar ka shumë rafineri e terminale dhe se po punojnë me qeverinë për të siguruar shpërndarje të karburanteve në mbarë vendin.
Shefi i opozitës britanike, Keir Starmer, kryetar i Partisë Laburiste, e akuzoi kryeministrin Johnson se e ka lënë situatën të dalë jashtë kontrollit, pavarësisht paralajmërimeve të naftëtarëve për disa muaj.