“Papërgjegjësi institucionale”, shkarkime në radhët e policisë për vrasjen e gruas shtatzënë në Kosovë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Vrasja e një gruaje shtatzënë nga bashkëshorti i saj në oborrin e maternitetit në Prishtinë, ka tronditur opinionin publik në Kosovë dhe ka trazuar ujërat e politikës në vend, me opozitën që e drejton gishtin nga qeveria.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cilëson rastin si papërgjegjësi institucionale dhe paralajmëroi dorëheqje dhe shkarkime në radhët e policisë.

“Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegjësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave. Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mundtë ishte parandaluar”, tha Albulena Haxhiu.

Kryeministri Albin Kurti reagoi ashpër lidhur me vrasjen e 35-vjeçares dhe përmes një postimi në Facebook fajësoi shoqërinë, që sipas tij, është familjarizuar me dhunuesit.

“Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje. Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa mendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave edhe dhunë ndaj fëmijëve. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e di dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. Shumësia e dhunuesve nëpër familje ka sjellë familjarizimin me dhunuesit në shoqëri”, u shpreh Kurti.

Më herët, edhe presidentja Vjosa Osmani dënoi me termat më të ashpër, atë që e quajti krim makabër dhe çnjerëzor. Viktima e identifikuar si Hamide Magashi, 35 vjeç, u vra para objektit të klinikës së gjinekologjisë në QKUK, ku kishte shkuar për të lindur. Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar urdhër mbrojtje për të pasi dhunohej nga i shoqi. Ky i fundit, është i dyshuari kryesor për ngjarjen dhe ndodhet ende në arrati.

Share This Article