Nga baza ushtarake Fort Bragg në Karolinën e Veriut, presidenti Donald Trump konfirmoi se Shtetet e Bashkuara po shpenzojnë 1 trilion dollarë për ushtrinë gjatë këtij viti dhe se shifra do të rritet për vitin e ardhshëm. Duke folur para ushtarëve dhe familjarëve të tyre, shefi i Shtëpisë së Bardhë e paraqiti këtë shpenzim si pjesë të agjendës së tij “paqe përmes forcimit”.
Presidenti tha se ushtria amerikane po rindërtohet pas “viteve të dobësimit dhe korrektësisë politike”, raporton “NewsMax” në SHBA. “Falë forcës tonë… ndoshta nuk do të na duhet ta vëmë në provë fuqinë tonë”, tha Trump. “Këtë vit po investojmë 1 trilion dollarë në forcat tona të armatosura, më shumë se kurrë më parë. Vitin e ardhshëm, kjo shifër do të rritet”, shtoi ai.
Trump tha se administrata e tij ka rritur numrin e regjistrimeve në ushtri dhe ka përmirësuar moralin, duke rivendosur meritën si kriter për avancimin dhe promovimin brenda forcave të armatosura.
Si pjesë e shpenzimeve të zgjeruara, Pentagoni do të blejë tanke Abrams, helikopterë dhe mjete të blinduara të reja, si dhe do të investojë mbi 1 miliard dollarë për përmirësimin e godinave në bazat ushtarake. Trump gjithashtu njoftoi planet për ndërtimin e një gjenerate të re të luftanijeve, më të fuqishme se anijet historike të Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti amerikan e mbylli fjalimin duke theksuar se ushtria e Shteteve të Bashkuara do të mbetet më e fuqishmja në botë, për sa kohë që administrata e tij vazhdon të vendosë prioritet mbrojtjen, sigurinë kufitare dhe sloganin “Amerika e para”.

