Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka dhënë një paralajmërim të fuqishëm për liderët botërorë se pandemia e koronavirusit “nuk e ka fundin afër”.
Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus ka kundërshtuar supozimet se varianti i ri Omicron është tepër më i lehtë dhe se s’ka rrezik nga ky virus.
Ndërhyrja vjen pasi shtetet evropiane regjistruan shifra rekorde.
Franca të martën regjistroi gati gjysmë milioni raste të reja ditore.
Duke folur në një konferencë për shtyp nga Gjeneva, Tedros ka thënë se Omicroni ka çuar në 18 milionë infektime të reja për një javë në gjithë botën.
Përderisa varianti ka dalë të jetë më pak i rrezikshëm në mesatare, “deklarimi se është sëmundje e lehtë është mashtrim”, ka thënë ai.
“Mos gaboni, Omicroni çon në shtrirje në spital e në vdekje, e madje edhe rastet më pak të rënda po mbushin spitalet”, ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar se “me rritjen e jashtëzakonshme të rasteve me Omicron në botë, variantet e reja pritet të shpërthejnë, prandaj mbetet kritike përcjellja dhe trajtimi”.
“Mbes i shqetësuar për shumë shtete që kanë shkallë të ulët të vaksinimit, ku njerëzit janë shumëfish më të rrezikuar nga sëmundja e rëndë dhe vdekjet, nëse janë të pavaksinuar”, ka shtuar ai.
Në gjithë Evropën dje ka pasur shifra rekorde me COVID-19, që nga fillimi i pandemisë.