Jo vetëm Rusia, por janë edhe vende të tjera që po përpiqen të ndërhyjnë në fushatën zgjedhore për votimet e 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është paralajmërimi i fortë i drejtorit të Qendrës Kombëtarë të Kundërzbulimit në SHBA, William Evanina.
“Vërejmë se kundërshtarët tanë po përpiqen të kompromentojnë linjat e mbrojtura të komunikimit të fushatave politike dhe të entiteteve të tjera politike. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë të preokupuara kryesisht “me Kinën, Rusinë dhe Iranin,” vende të tjera dhe organizata jo-shtetërore mund të shkaktojnë dëme në procesin tonë zgjedhor” tha Evanina në një deklaratë.
Kina po përpiqet të influencojë “mjedisin e politik-bërjes” në Shtetet e Bashkuara me synimin për të ndikuar tek gara mes Presidentit Trump dhe pretendenti demokrat në zgjedhje, Joe Biden, tha zoti Evanina. Ai shtoi se “aktorë të paidentifikuar në internet dhe palë të tjera” janë përfshirë në fushata dizinformimi që Rusia po i shfrytëzon “për të minuar besimin në procesin tonë demokratik”.
Irani po ashtu po përhap dizinformim përmes internetit dhe në median sociale në përpjekje “për të minuar institucionet demokratike amerikane dhe për të përçarë vendin para zgjedhjeve,” tha ai. Zoti Evanina tha se agjencitë amerikane të zbulimit do të vazhdojnë të ndjekin situatën për të interceptuar “aktorë me qëllime keqdashëse në hapësirën kibernetike” dhe nënvizoi sigurinë e lartë të sistemeve zgjedhore të shteteve amerikane duke thënë se e bëjnë “tepër të vështirë që kundërshtarë të huaj të ndërpresin apo ndryshojnë numërimin e votave pa u diktuar”.
Ai u bën thirrje amerikanëve të ndihmojnë për të garantuar zhvillimin e një procesi të rregullt zgjedhor duke analizuar me sy kritik informacionin që marrin dhe duke ndjekur praktika të “higjenës së mirë kibernetike dhe mirë-informimit mediatik”. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit po ashtu u bëri thirrje amerikanëve të raportojnë pranë autoriteteve aktivitete të dyshimta.