Që para ardhjes në pushtet, Joe Biden, përmes një letre që kishte publikuar, kishte treguar se Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë e interesit të veçantë dhe se do të angazhohej për problemet në këtë pjesë të rajonit. Kur kanë kaluar pak kohë që nga ardhja e tij në pushtet, vërehen edhe lëvizjet e para diplomatike.
Biden ka bërë një seri emërimesh, që mund të cilësohen edhe si një riorganizim diplomatik, duke dëshmuar se ShBA-ja është duke ndryshuar mënyrën se si do të merret me problemet në Ballkanin Perëndimor, shkruan Euronews (edicioni në gjuhën serbe).
Procesi i ndërrimit të përfaqësuesve diplomatik në Ballkanin Perëndimor ka filluar me emërimin e Gabriel Escobar si i dërguar për Ballkanin, i pasuar me emërimin e Christopher Hill si ambasador në Beograd.
Ndërkohë ambasador në Bosnje e Hercegovinë do të jetë Michael Murphy dhe në Prishtinë do të jetë Jeffrey Howenier. Këtyre emërimeve iu shtohet edhe emri i James O’Brien i nominuar si koordinator për politikat sanksionuese të SHBA-së.
Vladimir Trapara nga Instituti për Politika Ndërkombëtare dhe Ekonomi ka thënë për Euronews se të gjithë të emëruarit janë diplomatë me eksperiencë që e njohin rajonin tepër mirë.
“Unë do të thoja që kjo është pjesë e politikës së jashtme të administratës së Biden, ku njerëzit që janë me eksperiencë emërohen në pozita, duke filluar nga postet më të larta në politikë të jashtme e deri tek diplomatët në rajone të ndryshme”, ka thënë ai.
Dushan Janjiq nga Forumit për Marrëdhënie Etnike ka thënë se emërimi i Christopher Hill si ambasador në Beograd do të jetë një sfidë për liderët e Ballkanit Perëndimor, meqë ai përfaqëson konkretisht ndikimin amerikan.
“Ai është një diplomat me përvojë të madhe në Ballkan, ai ishte një i dërguar i posaçëm për të gjitha krizat në Paqësor, ai është një negociator shumë i mirë, me autoritet dhe një zgjedhje e mirë. Kur të shikoni vijën e vendosur nga Biden – Escobar, Hill, O’Brien për sanksionet – do të jetë sfiduese për liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Janjiq, tranmseton Express.
Dërisa Marko Savkoviq emërimin e Christopher Hill si ambasador në Beograd e sheh si një sinjal të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të mbyllin një problem të madh në rajon.
Ai ka kujtuar edhe faktin se Hill ka jetuar si i ri në Beograd në kohën kur babai i tij ka punuar si këshilltar në Ambasadën e SHBA’së në Beograd.
“…nuk ka dyshim se emërimi i tij dhe përvoja e mëparshme do të ishte një sinjal i qartë i vendosmërisë amerikane për t’i dhënë fund diçkaje të madhe këtu,” ka thënë Savkoviq.