Legjionarët kuqezi po kalojnë një formë shumë të mirë me klubet e tyre, teksa këtë fundjavë futbollistët e Kombëtares kanë realizuar plot 7 gola.
Pas transferimit në Iran te skuadra e Esteghlal, Jasir Asani shënoi dy gola në ndeshjen ndaj Paykan duke i dhënë një pikë të vlefshme skuadrës së tij në barazimin 2-2. Fillimisht Asani e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 45+7 me një realizim shumë të bukur, ndërsa në minutën e 80-të shënoi me penallti duke vulosur shifrat 2-2.
Juljan Shehu vazhdon me formën e tij shumë të mirë në kampionatin polak, teksa këtë fundjavë gjeti sërish rrugën e rrjetës në disfatën e Widzew Łódź në transfertë ndaj Górnik Zabrze. Futbollisti kuqezi shënoi në minutën e 27-të me një goditje me kokë, duke barazuar përkohësisht rezultatin e ndeshjes. Ky ishte goli i tretë për Shehun deri më tani në kampionatin polak.
Arbër Hoxha u rikthye te goli me Dinamo Zagreb, pasi shënoi në fitoren 2-0 ndaj Hajduk Split. Futbollisti kuqezi zhbllokoi takimin në minutën e 44-t, me një aksion personal që u mbyll me një supergol nga ana e tij.
Myrto Uzuni shënoi golin e radhës me skuadrën e Austin në MLS në ndeshjen ndaj Seattle Sounders. Sulmuesi kuqezi i dha fitoren skuadrës së tij pasi shënoi golin vendimtar në minutën e 90+6 dhe ndeshja u mbyll 2-1. Ky ishte goli i gjashtë për Myrto Uzunin në kampionat.
Mirlind Daku vazhdon të shënojë gola të vlefshëm për skuadrën e Rubin Kazan në kampionat, teksa këtë fundjavë gjeti rrugën e rrjetës në transfertë ndaj Akron Togliatti. Sulmuesi i Kombëtares realizoi një gol spektakolar në minutën e 54-të të ndeshjes dhe ky ishte goli i tetë deri më tani në kampionat.
Anis Mehmeti ishte sërish protagonist për Bristol City, pasi shënoi një gol spektakolar në humbjen 1-3 ndaj Oxford Utd. Futbollisti kuqezi shënoi në minutën e 53-të dhe ky ishte goli i katërt për të në kampionat.
Titullarë këtë javë ishin edhe Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Ylber Ramadani, Adrion Pajaziti, Ernest Muçi dhe Rey Manaj. Ndërkohë, si zëvendësues dhanë kontributin e tyre Ivan Balliu, Nedim Bajrami dhe Indrit Tuci.