Banka Botërore ka parashikuar që ekonomia e Ukrainës do të tkurret me 45% këtë vit, si pasojë e luftës.
Gjithashtu institucioni financiar parashikon se dëmi ekonomik në vend do të jetë më i madh se sa ai i shkaktuar nga pandemia e Covid-19. Dhe kjo, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në disa shtete të Europës lindore dhe të Azisë qendrore.
Nga ana tjetër, Banka Botërore parashikon që, si rezultat i sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, ekonomia e Rusisë do të tkurret me mbi 11%.
Që prej 24 shkurtit, pjesa dërrmuese e fuqisë punëtore në Ukrainë është detyruar të largohet, ose të lërë mjetet e punës, për të marrë armët. Bizneset janë mbyllur, ndërsa rrugë, fabrika dhe infrastruktura të tjera të rëndësishme janë dëmtuar. Sipas Bankës Botërore, bombat ruse kanë shkatërruar vite të tëra përparim të bërë nga Ukraina, që prej shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Ukraina është burim kryesor i vajti të lulediellit dhe grurit, por për shkak të luftës eksporti ka ndaluar. Si rezultat, çmimet e këtyre produkteve janë rritur ndjeshëm në të gjithë botën, ndërsa Ukraina nuk po arkëton para jetike për ekonominë e saj.