Kryeministri Edi Rama tha se ajo që është zbuluar deri tani për paratë ruse në politikën shqiptare është vetëm maja e ajsbergut.
Akuzat e opozitës në drejtim të tij i cilësoi si jo të rastësishme. “Kjo nuk është interes i vogël pushteti apo paraje. Kjo është influencë e drejtpërdrejtë ruse në Shqipëri. Kur ne e kemi ngritur këtë problem, na thanë se janë shpifje të Edi Ramës dhe Sorosit.
Mirëpo na doli në raportin e CIA-s. Dhe po ju them se është vetëm maja e ajsbergut”, tha Rama nga Erseka gjatë një takimi me fermerë.
“Historia e zhytjes së asaj partie në thesin e rublave të monedhës ruse as nuk filloi me atë që dimë dhe dini, as nuk ka mbaruar me atë që dimë dhe dini.
Kjo është një aleancë rublash, mes të dyja atyre partive që janë atje dhe të cilave iu bëjnë jehonë disa pasqyre të shtrembëruara komplet mediatike, që helmojnë pa pushim me shpifje nga më banalet”.