Parku natyror Kune-Vain-Tale shënon numrin më të madh të turistëve

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Parku natyror Kune-Vain-Tale këtë vit ka pasur numrin më të madh të turistëve.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e cila ishte këtë fundjavë në Kune Vain.

“Lajm i bukur që ky vit që po mbyllim ka pasur numrin më të lartë të turistëve në Parkun Natyror Kune-Vain-Tale! Kjo lagunë po ashtu është shpallur zonë e rëndësishme për shpendët në Europë dhe kushdo që e ka vizituar e kupton pse. Ata që ende s’kanë shkuar, ç’presin?”, u shpreh ajo.

Po ashtu, Kumbaro shtoi se 196 lloje shpendësh popullojnë zonën dhe ekspertët  e AKZM Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura që shkelin çdo ditë territorin pohojnë se ka një rikthim të shpendëve dhe shtim të numrit të tyre.

“Moratoriumi i gjuetisë ka shmangur në masë të madhe abuzimet që i bëheshin faunës, por ende vigjilenca dhe puna në terren s’duhet ngadalësuar për t’u siguruar gjallesave një jetesë të qetë në habitatet që u takojnë”, shprehet ajo.

Parku Natyror “Kune-Vain-Tale”, Lezhë është një nga perlat e lagunave të Shqipërisë dhe më gjerë, një madhështi natyrore.

Jo vetëm bukuritë natyrore, habitati i shpendëve dhe specieve ujore, por dhe flora është në një diversitet të pamasë.

Parku Natyror Kune-Vain-Tale është zona e parë e mbrojtur në Shqipëri. E shpallur në vitin 1940 si një rezervat gjuetie, ndër të tjera sot është një Zonë e Rëndësishme për Shpendët. Ekosistemi kompleks lagunor, i formuar nga dinamika e gjirit të Drinit, është një habitat i rëndësishëm për dimërimin e rosave dhe një zonë riprodhimi për shumë lloje peshqish me rëndësi tregtare./ATSH/

Share This Article