Parlamenti Europian rrëzon farsën elektorale, duke akuzuar qeverinë se përdori të gjitha burimet për blerjen e votave dhe devijimin e vullnetit të votuesve.
Në Komisionin e Jashtëm të parlamentit u diskutua për çështjen e zgjedhjeve të 11 majit.
Kryetari i këtij komisioni, David McAllister, bëri me dije se vetë Parlamenti Europian ishte pjesë e vëzhgimit të zgjedhjeve përmes një delegacioni me 7 eurodeputetë, të cilët u shpërndanë në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë.
Raporti i Parlamentit Europian për zgjedhjet u lexua nga Michael Gahler, eurodeputet gjerman i CDU, që udhëhoqi këtë mision vëzhgues.
“Në ditën e zgjedhjeve, delegacioni u nda në tre ekipe duke vëzhguar në qytetet e mëdha, Tiranë, Vlorë dhe Elbasan, por edhe në zonat rurale.
Në përmbledhje, pikat kryesore janë: zgjedhjet ishin konkurruese, teknikisht të mirëorganizuara, por u zhvilluan në një ambient të polarizuar politik me avantazhe sistematike për partinë në pushtet.
Shqetësimet kryesore që ndikuan në garë përfshijnë:
-abuzimin me burimet publike,
-presioni mbi votuesit, veçanërisht punonjësit publikë,
-keqpërdorimi i aktiviteteve qeveritare siç ishte ‘Giro D’Italia’ për qëllime elektorale,
-qeveria shpalli një amnisti të minutës së fundit për gjobat e papaguara nga qytetarët, një lëvizje që perceptohet si blerje votash,
-në prill pati një bonus për pensionistët që morën 100 euro secili, një muaj para zgjedhjeve, diçka që konsiderohet me ndikim,” tha Gahler.
Sipas tij, ‘nuk pati asnjë debat mes kandidatëve kryesorë duke kufizuar informimin siç duhet të elektoratit’.
Për votën e diasporës, Gahler theksoi se pati probleme teknike dhe logjistike me votat e Greqisë nga kompania DHL.
“Delegacioni i Parlamentit Europian mbështet plotësisht konkluzionet e OSBE/ODIHR dhe thekson se duhet një reformë e plotë zgjedhore. Parlamenti i ri duhet të kalojë këtë reformë. Ajo do dërgojë një mesazh të rëndësishëm për BE-në, por edhe për rajonin. Delegacioni ynë është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë në të gjitha fushat e ekspertizës tonë për ndërtim kapacitetesh apo ndërmjetësim mes partive. Ne po presim raportin përfundimtar në fillim të korrikut. Do ketë rekomandime shtesë dhe shpresoj, dhe kjo është ajo që themi në të gjitha vendet, se rekomandimet dhe miratimi i tyre do kenë një konsensus të gjerë dhe të mos ketë përjashtime,” tha Gahler.
“Për më shumë, mendoj se ajo që kemi vëzhguar dhe dëgjuar si vëzhgues afatshkurtër nga vëzhguesit afatgjatë, sidomos në Elbasan, ata flasin për disa struktura që janë përfshirë në devijimin e votave në një drejtim, por kjo shkon përtej mandatit të vëzhguesve të zgjedhjeve. Kjo gjë ka ndikim në situatën e përgjithshme dhe duhet adresuar”, theksoi Gahler në fjalën e tij.