Deputetët e Parlamentit Evropian kanë votuar pro një rezolute për ngritjen e një gjyqi të posaçëm kundrejt Vladimir Putinit, për ta dënuar këtë të fundit për krimet e luftës të shkaktuara në Ukranë, në agresionin e filluar prej 24 shkurtit 2022 dhe i cili ende vijon.
Tragjeditë e shkaktuara në Bucha, Irpin dhe shumë qyteza të tjera ukrainase, e kanë dëshmuar tashmë natyrën e vërtetë të gjithë sipërmarrjes ushtarake të kreut të Kremlinit në territor të huaj dhe brutaliteti i dëshmuar, duhet të kthehet në pikëfillim për gjykimin e Putinit.
Me 472 vota pro, 19 kundër dhe 33 deputetë, të cilët abstenuan, rezoluta kaloi me sukses, edhe pse pati shqetësim për këto që qëndroi kundër vendimit thuajse unanim dhe atyre, të cilët mbetën neutralë në çështje.
Ngritja e një gjykate të tillë, mund të mbulonte edhe gjithë hapësirat dhe vakumet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Po ashtu, ajo mundet edhe të hetojë më gjerë se sa hetuesit pranë kësaj gjykate, duke qenë se ajo nuk e ka tagrin e duhur për ta bërë këtë gjë.
Madje, në proces mund të futet edhe lidershipi ushtarak i Bjellorusisë, përtej atij të Moskës, duke argumentuar se mes tyre ka pasur bashkëpunim të vazhdueshëm në operacionin ushtarak në Ukrainë.
Alexander Lukashenko sipas deputetëve evropianë, ka një peshë të caktuar në luftën një Ukrainë dhe aleancën e tij me Putinin, të palëkundur në asnjë çast, duhet ta vuajë, nëse vërtetë ka ndikuar në krimet e luftës të bëra në Ukrainë.
Puna, në bazë të eurodeputetëve, mbi ngritjen e kësaj strukture të veçantë ligjore, duhet të fillojë menjëherë dhe të përqendrohet te ndërtimi i angazhimeve ndaj Ukrainës, për drejtësi.
Kategorikisht ndërkaq, përjashtohet rikthimi i tratativave për të rikthyer Vladimir Putinin në raportet e mëparshme që ka pasur me botën Perëndimore.
Marrëdhëniet e presidentit rus me Evropën dhe më gjerë, nuk do të jenë më kurrë si më parë, apo as edhe afër asaj çfarë kanë qenë, bënë me dije eurodeputetët në seancë, duke kërkuar vetëm veprim të menjëhershëm.