Parlamenti i Republikës Sërpska (RS) i Bosnjës miratoi të enjten projektligjin e ashtuquajtur “Ligji mbi agjentët e huaj”. Zgjidhja ligjore, e cila parashikon krijimin e një regjistri të posaçëm për organizatat jofitimprurëse, mori mbështetje të madhe nga autoritetet, ku 48 deputetë votuan “pro”, 11 “kundër”, ndërsa gjashtë deputetë abstenuan.
Projektligji do të dërgohet në seancë publike pas një muaji. Kjo zgjidhe ligjore, shkaktoi zemërim tek shoqatat joqeveritare, si dhe te një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Projektligji u mbrojt nga Presidenti i RS, Milorad Dodik. Sipas kritikëve të qeverisë, ky ligj paraqet një vazhdimësi të shtypjes së lirisë së fjalës dhe të drejtave themelore të njeriut.
Mungesa e një ligji të tillë, siç theksoi propozuesi, Ministri i Drejtësisë, Millosh Bukejloviq, krijon kushte për “kolapsin e sistemit juridik dhe rregullimit kushtetues të RS dhe krijon pasoja të dëmshme për punën e organeve dhe organizatave të RS.”
Autoritetet nuk e dëgjuan Delegacionin e Bashkimit Evropian, i cili bëri thirrje për tërheqjen e draftit nga procedura parlamentare. Ata nuk morën në vlerësim as Këshillin për Zbatimin e Paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili gjithashtu bëri thirrje për tërheqjen e projektligjit.
Reagimi i Bashkimit Evropian
Bashkimi Evropian dënoi miratimin e Projektligjit për “Agjentët e Huaj” të miratuar nga parlamenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnjës të enjten, duke vënë në dukje se ai bie ndesh me angazhimet e entitetit në rrugën e Bosnjës drejt BE-së dhe u kërkoi atyre që ta refuzojnë Ligjin përderisa ka ende kohë.
BE-ja shprehet se është seriozisht e shqetësuar për nismat dhe njoftimet e fundit legjislative në entitetin e Republika Srpska (RS) që bien ndesh me rrugën e BE-së të Bosnje dhe Hercegovinës, duke përfshirë projektligjin për Regjistrin Special dhe Publikimin e Punës së Organizatave Jofitimprurëse, etiketimi i OJQ-ve si “agjentë të huaj”, që tani është miratuar në leximin e parë nga Asambleja Kombëtare e Republika Sërpska.
Sipas BE-së, miratimi përfundimtar i ligjit do të binte drejtpërdrejt në kundërshtim me angazhimet e përsëritura të udhëheqjes së Republika Sërpska për të avancuar integrimin evropian të Bosnje dhe Hercegovinës, dhe veçanërisht prioritetin kyç për shoqërinë civile dhe prioritetin kyç për lirinë e shprehjes dhe të medias.
“U bëjmë thirrje delegatëve në Asamblenë Kombëtare të RS që të rishqyrtojnë dhe të mos ecin përpara me këtë projektligj. Respektimi i të drejtave të njeriut, liria e shprehjes, liria dhe pluralizmi i medias, si dhe një mjedis që u mundëson organizatave të shoqërisë civile të veprojnë lirisht janë shtyllat kryesore të një shoqërie demokratike. Ne shprehim keqardhje për hyrjen e fundit në fuqi të ndryshimeve në kodin penal të Republikës Sërpska, duke rifutur dënimet penale për shpifje, e cila ka vendosur kufizime të panevojshme dhe joproporcionale ndaj mediave të pavarura dhe shoqërisë civile, dhe përbën një hap të madh për keqardhje dhe të pamohueshme prapa në mbrojtjen e të drejtat themelore.”- thuhet në reagimin e BE-së.
Sipas Brukselit, nisma të tilla shkojnë kundër pritshmërive që shoqëruan dhënien e statusit të kandidatit në BE dhe bien ndesh me interesat e të gjithë qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës, duke përfshirë ata që banojnë në entitetin e Republikës Srpska.
“Këto hapa bien gjithashtu në kundërshtim me parimet bazë të BE-së. BE pret që të gjitha autoritetet të punojnë në mënyrë konstruktive për të adresuar prioritetet kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, të cilat janë të nevojshme që Komisioni të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Bosnjën dhe Hercegovinën”- përfundon reagimi i Brukselit.