Një parodi muzikore që ironizon ashpër kryeministrin laburist britanik, Keir Starmer, dhe politikat e tij për shkurtimin e mbështetjes për pensionistët gjatë dimrit, është bërë një ndër këngët më të dëgjuara në Britani.
Kënga, e titulluar “Freezing This Christmas” (Do të ngrijmë këtë dimër), e publikuar më 17 dhjetor nga grupi me emrin ironik “Sir Starmer and the Granny Harmers” (Sir Starmer dhe lënduesit e gjysheve), është ngritur në krye të shkarkimeve, pavarësisht bojkotit nga stacionet e mëdha radiofonike, përfshirë edhe BBC-në.
Kënga ironizon vendimin e kryeministrit për të hequr pagesat për ngrohjen dimërore për rreth 10 milionë pensionistë britanikë. Me tekst që parodizon melodinë klasike “Lonely This Christmas”, kënga përshkruan në mënyrë të ashpër realitetin e pensionistëve të prekur. Disa nga vargjet përmbajnë mesazhe si:
“Imagjino një shtëpi që është plot të ftohtë.”
“Si t’ja bëj pa ngrohje? Nuk kam ku të shkoj. Pa ngrohje në Krishtlindje unë do të ngrij, kurse K-Star (Starmer) është ngrohtë.”
Kënga ka marrë hov të madh pas një sondazhi që tregoi se mbi gjysma e pensionistëve në Britani nuk do të marrin këtë vit ndihmën për ngrohjen dimërore. Për pasojë, shumë prej tyre janë të detyruar të fikin ngrohjen për të përballuar faturat, ndërsa 35% janë të detyruar të shkurtojnë blerjet shtëpiake dhe një në gjashtë duhet të reduktojë ushqimin.
Së bashku me këngën, autorët kanë nisur një nismë bamirësie për të ndihmuar pensionistët në vështirësi. Përmes organizatës Age UK, deri tani janë mbledhur rreth 23,000 paund (27,800 euro).
Brenda vetëm dy ditësh, kënga u rendit ndër 40 më të mirat në listën EE Big Top 40 në Apple Music dhe suksesi i saj pritet të vazhdojë ndërsa afrohen Krishtlindjet. Megjithatë, BBC ka refuzuar ta transmetojë këngën, pavarësisht popullaritetit të saj të madh.