Tashmë në krye të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i pyetur nga gazetarët nëse kjo parti është e majtë apo e djathtë tha se Partia e Lirisë nuk kufizohet mes të majtës dhe të djathtës.
Meta tha se Partia e Lirisë është Liria. Më tej Meta u shpreh se Partia e Lirisë është patriotike dhe do të ndezë shpresën e shqiptarëve.
“Partia e Lirisë, është liria. Sovraniteti është i majtë apo i djathtë. Është gjithëpërfshirëse. Kam një pyetje për ju? PS është sot e majtë? Të jesh partia në pushtet që nuk jep asgjë për familjet shqiptare është e majtë apo jo? Partia Socialiste është vërtetë një parti patriotike sot? Është ajo parti kur isha unë dhe të tjetër dhe dha atë kontribut për Kosovën? Apo është parti që ka frikë të përmend masakrën e Srebrencicës, që lejon një avanturier t’i fusë thikë pas shpine. Partia e Lirisë është parti patriotike, tani do të ndezë flakën e lirisë demokratike, kjo flakë nuk do t’i vërë zjarrin Shqipërisë, por do ta shpëtojë nga kjo rrokullisje që ka uzurpuar të gjithë shtetin. Është një parti patriotike, nuk është nacionaliste, ne nuk kemi asnjë pretendim. Këto duam t’i kemi dhe të ua lëmë brezave që vijnë kështu siç na i kanë lënë ne të parët tanë. Nuk jemi parti nacionaliste, jemi parti ultademokratike në kuptimin që referendum është garanti jo vetëm i demokracisë, por i rikthimit të demokracisë në themelet e kushtetutës më të mirë që ka parë kjo tokë, ajo e vitit 98.-tha Meta.
Më tej, Ilir Meta u shpreh se partia që ai drejton nuk do të bojkotojë zgjedhjet. “Për aq kohë sa unë do të jem lider i saj, kjo parti nuk do të bojkotojë për asnjë sekondë asnjë gjë në këtë vend, aq më tepër në këtë vend. Qeveria do të ikë me zgjedhje ose me protesta. Në demokraci kush ikën nga zgjedhjet është një dezertor, një manipulues”, tha Meta.