Qeveria dënoi ngjarjen e djeshme në Strugë, ku në një manifestim të Kishës Ortodokse u tubuan një numër i madh qytetarësh. Nga ekzekutivi thonë se do të merren masat e duhura për të parandaluar çdo rrezik që kërcënon shëndetin e qytetarëve të Strugës dhe rajonit.
Struga dhe rajoni më i gjerë ishin zona ku kishte prani të theksuar të kërcënimeve në shkallë të gjerë nga koronavirusi dhe u bënë përpjeke mbinjerëzore dhe masa të jashtëzakonshme nga punonjësit shëndetësor, policisë, ushtrisë dhe të gjithë të tjerët të përfshirë në parandalimin e përhapjes së virusit. Tani, pas ngjarjes së djeshme kemi një situatë që mund të shkaktojë pasoja serioze për shkak të sjelljes së papërgjegjshme që përsëri ka ngritur nivelin e rrezikut për shëndetin publik – thonë nga Qeveria e RMV-së.
Reagime të shumta erdhën edhe nga subjektet politike pas shkeljes së të gjitha masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Strugë. Në kohën e pandemisë kur ekzekutivi udhëhiqet nga pozita dhe opozita vlojnë edhe reagimet kundër njëra-tjetrës. Të gjitha kërkojnë përgjegjësi nga MPB-ja, dikaster i përfaqësuar nga tre partitë që janë në pushtet.
Kreu i LSDM-së Zoran Zaev përgjegjës për Strugën e bën ministrin e Brendshëm Çulev, nga i cili kërkon dorëheqjen. Ai në facebook kritikoi policinë e udhëhequr nga Çulev që nuk ka reaguar dhe kanë lejuar të ndodh mbledhja e qytetarëve, ndërsa shtoi se për këtë Çulev ka zbatuar urdhrin e kreut të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski.
A u këshillua Naqe Çulev me Mickoskni përpara se të vendosë të rrezikojë shëndetin e qytetarëve?
A e detyroi Mickoski Çulevin të organizojë një ngjarje në mes të një pandemie pa masa mbrojtëse?
A e urdhëroi Mickoski Çulevin mos të ndërmerr veprime gjatë tubimit masiv në Strugë? – pyet Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.Nuk do të duhej të ketë as të pushtetshëm e as të falur apo procedura selektive për çfarëdo përgjegjësie që ka të bëjë me pandeminë dhe masave të vendosura. Siç nuk duhet të falet mjekja Caca Biljanovksa, e cila infektoi 6 kolegë të saj dhe çoi në rrezik shumë njerëz. Ashtu nuk duhet të falet asnjë qytetarë në cilëndo komunë nëse me vetëdije shkakton ndonjë rrezik – tha Antonio Milloshoski, VMRO DPMNE.
BDI vlerëson që beteja me CoVid-19 fitohet vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe jo selektive nga të gjithë qytetarët dhe të gjithë institucionet. Kërkojmë përgjegjësi nga personat dhe institucionet që kanë organizuar dhe lejuar një manifestim të tillë masive në kohë pandemie dhe kufizimesh – thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që të njëjtat standarde të aplikohen për të gjithë pa dallim! Qeveria nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Kujtojmë se MPB reagoi shumë shpejt në Hasanbeg, madje personat e përfshirë po ballafaqohen edhe me dënime derisa të tjerë pa asnjë pengesë po kryejnë obligimet fetare! -shprehen nga Aleanca për Shqiptarët.
Në periudhën kur shifrat tregojnë se e lamë pas pikun me Virusin Korona, tubimet masive fetare po shkelin çdo protokoll shëndetësor. Ekspertët hedhin dyshimet nëse këto inicime po bëhen për trysni të vazhdimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe shtyrjes së datës për zgjedhjet parlamentare./alsat/