Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të hapjes së parlamentit, njoftoi Pallati Buckingham.
Në ceremoni do të marrë pjesë princi i kurorës Charles. Princi William, i dyti në radhë për fronin mbretëror, do të marrë pjesë gjithashtu në këtë ngjarje.
Nga Pallati Buckingham theksuan se mbretëresha shpresonte të merrte pjesë, por tani është konfirmuar se ajo nuk do të shkojë në ceremoninë në Westminster për shkak të “problemeve të kohëpaskohshme të lëvizjes”.
Mbretëresha Elizabeth II, monarku më i vjetër dhe më jetëgjatë në botë, ka reduktuar detyrat e saj mbretërore dhe paraqitjet publike muajt e fundit për shkak të problemeve shëndetësore dhe moshës.
Kjo është vetëm hera e tretë që Elizabeth II nuk hap parlamentin. Më parë ka qenë viti 1959 dhe 1963, në një kohë kur ajo ishte shtatzënë.
Hapja shtetërore e parlamentit shënon fillimin e vitit parlamentar në Britaninë e Madhe.