Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë, Jean-Louis Falconi dhe Thomas Schieb, kanë takuar sot Marko Gjuriqin, drejtorin e të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, me të cilin kanë diskutuar për rinisjen e shpejtë të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht pas krijimit të qeverisë së re në Kosovë.
Parisi dhe Berlini kanë mirëpritur angazhimin e Miroslav Lajçakut dhe Josep Borell për lehtësimin e dialogut dhe për arritjen e një marrëveshje që do të jetë afatgjate dhe që do t’i kontribuojë stabilitetit të rajonit.
“Gjatë takimit, dy ambasadorët kanë bërë thirrje për rinisje të shpejtë të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, veçanërisht pas krijimit të qeverisë së re në Kosovë. Ata kanë mirëpritur përpjekjet e BE-së për lehtësimin e dialogut përmes emisarit Miroslav Lajçak, dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligative, afatgjate dhe që do t’i kontribuojë stabilitetit të rajonit”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Ambasada e Francës në Serbi, raporton Gazeta Express.