Njerëzit në Çeki tani mund të blejnë në dyqane, të luajnë tenis dhe të shkojnë në not. Austria planifikon të rihapë pas Pashkëve dyqanet e vogla. Danimarka do të rihapë kopshtet dhe shkollat nga java tjetër nëse rastet e koronavirusit mbesin të qëndrueshme, ndërsa në Norvegji fëmijët do të kthehen në kopshte një javë më vonë.
Shoqëritë e këtyre vendeve janë të parat në Perëndim që filluan të ndjejnë rikthimin gradual të jetës së përditshme pas javëve të kufizimit të imponuar nga qeveritë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Dr. Peter Drobac, një ekspert global i shëndetësisë në Shkollën e Biznesit në Oxford tha për CNN se ato vende që tani po lehtësojnë kufizimet e tyre janë “shembuj të rëndësishëm dhe shpresëdhënës” për Perëndimin.
“Ne kemi ende shumë mësime për të bërë në lidhje me atë se si do të dalim nga bllokimet në mënyrë të sigurt dhe efektive”, tha ai. Por, drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetit për Evropën, Dr. Hans Kluge, paralajmëroi këtë javë se situata në Evropë është ende “shumë shqetësuese” dhe insistoi se “tani nuk është koha për të qetësuar masat”. Më tej Dr. Kluge ka theksuar se Evropa “mbetet ende në qendër të pandemisë”, me shtatë nga 10 vendet më të infektuara në glob. (CNN)




