Një granatë dore ka shpërthyer në orët e vona të së mërkurës në rrethana të paqarta në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë.
Sipas njoftimit policor, fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në dy prona dhe në një makinë.
“Rr. Fahri Fazliu, Prishtinë 22.11.2023-23:45. Njësitet policore pas pranimit të informatës për një shpërthim, kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe kanë takuar dy ankuese kosovare, të cilat kanë deklaruar se si pasojë e shpërthimit në afërsi të shtëpive të tyre u janë shkaktuar dëme materiale në pronat e tyre dhe në një veturë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet e PK-së për deminim, ku dyshohet se mjeti shpërthyes ka qenë garantë dore, i cili ka shpërthyer në rrethana (ende) të panjohura. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.