Pas Rusisë, autoritetet shëndetësore të Kubës kanë njoftuar se kanë krijuar vaksinën për koronavirusin. Sipas tyre ajo do të jetë e disponueshme në gjysmën e dytë të shkurtit të vitit të ardhshëm.
Vaksina është zhvilluar nga Instituti Finlay i Vaksinave dhe do të quhet “Soberana 01”.
676 persona nga 18 deri në 80 vjeç do të jenë vullnetarë që do të marrin pjesë në testimet e vaksinës që do të nisin në 24 gusht.
Në njoftimin e autoriteteve thuhet se çdo person do të duhet të marrë dy doza nga kjo vaksinë që të jetë e efektshme.
Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel ka deklaruar se vendi duhet të kishte një vaksinë të vetën që të mos ishte i varur nga vendet e tjera.
“Edhe pse po zhvillohen vaksina nga shtete të tjera, neve na duhet vaksina jonë”, deklaroi ai.
Qeveria kubaneze mburret me bioteknologjinë e saj, që ka krijuar vaksina kundër Hepatitit B dhe sëmundjeve të tjera si meningjiti, kanceri i mushkërisë dhe tumoret e kokës.