Letonia, shtet anëtar i Bashkimit Evropian, e ka njohur si gjenocid masakrimin e armenëve nga forcat e Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, duke e nxitur reagimin e ashpër të Turqisë.
Kuvendi i shtetit të vogël baltik të enjten e miratoi rezolutën me të cilën njihet dhe dënohet Gjenocidi Armen. Në organin me 100 ulëse, 58 deputetë letonë votuan për, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Ministria e Jashtme e Turqisë e dënoi këtë veprim të Letonisë, duke e cilësuar si “përpjekje të zbrazët e të pavlefshme për ta rishkruar historinë për motive politike”.
Deri më tani, qeveritë dhe kuvendet e rreth 30 shteteve e kanë njohur formalisht Gjenocidin Armen. Një gjë të tillë e bëri përmes një deklarate muajin e kaluar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, armenët dhe shumë historianë thonë se rreth 1.5 milionë armenë janë vrarë. Armenët kanë dokumentuar vrasje, banditizëm, dhunim të grave, grabitje të pronave dhe krime të tjera.
Si shtet pasardhës i Perandorisë Osmane, Turqia e kundërshton përdorimin e termit “gjenocid” për këto vrasje, duke thënë se edhe qëindra mijëra myslimanë gjithashtu kanë vdekur në Anadolli në atë periudhë për shkak të luftimeve, urisë, acarit dhe sëmundjeve.