Kongresi amerikan është i bllokuar për shkak të paralizës në Dhomën e Përfaqësuesve pas shkarkimit të kryetarit të saj, Kevin McCarthy të martën. Ligjvënësit përballen me një afat prej gjashtë javësh për të miratuar projekt-ligjin për shpenzimet qeveritare dhe për të shmangur një mbyllje të qeverisë.
Një Dhomë e Përfaqësuesve jofunksionale dhe koha e nevojshme për identifikimin dhe zgjedhjen e një kandidati për kryetar që të sigurojë mbështetjen e duhur, lënë pezull disa projektligje të rëndësishme për shpenzimet, përfshirë ato për financimin e ushtrisë, ndihmën humanitare ndërkombëtare dhe përpjekjet për t’i bërë ballë ndikimit të Kinës.
Ligjvënësit në Dhomën me shumicë republikane nuk pritet të kenë ndonjë votim tjetër këtë javë. Por demokratët dhe republikanët do të mbajnë bisedime lidhur me kandidatët e mundshëm për postin e kryetarit të Dhomës me një diferencë të vogël mes të dyja palëve, në një periudhë që mund të kërkojë marrëveshje jo vetëm mes tyre, por edhe me Senatin e udhëhequr nga demokratët lidhur me projektligjet për shpenzimet.
Zgjedhja e kryetarit të ri mund të mos jetë një proces i shpejtë. Zotit McCarthy iu deshën 15 raunde votimi për t’u miratuar në rolin e kryetarit në janar.
Atij iu desh të bënte disa lëshime ndaj konservatorëve në partinë e tij, përfshirë një rregull që një ligjvënës i vetëm mund të kërkonte një votim për ta hequr atë nga posti i kryetarit.
Shkarkimi i tij të martën, përbënte herën e parë në historinë amerikane që rrëzohet nga detyra një kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA – figura e tretë më e lartë politike, pas presidentit dhe nënpresidentit. I përballur me një sfidë nga disa ligjvënës së partisë së tij, republikani Kevin McCarthy e humbi postin në një votim me 216 vota kundër tij dhe 210 pro.
Ligjvënësi republikan Matt Gaetz u bë nismëtari i mocionit të mosbesimit për largimin e zotit McCarthy, për shkak të miratimit të buxhetit për qeverinë javën e kaluar, që injoroi përparësitë fiskale të grupit konservator republikan.
“Unë mendoj se 33 trilionë dollarë borxh është kaos. Mendoj se përballja me një deficit vjetor prej 2.2 trilionë dollarësh është kaos”, tha ai.
Zoti McCarthy u tha gazetarëve se nuk do të kandidonte më për postin e kryetarit.
“Mund të vazhdoj të luftoj, ndoshta në një mënyrë tjetër. Nuk do të kandidoj më për kryetar”, tha ai.
Për shkak të epërsisë së lehtë republikane ndaj demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, mjaftoi vota kundër e vetëm tetë republikanëve, së bashku me ato të të gjithë demokratëve të pranishëm për të shkarkuar zotin McCarthy, i cili ishte përballur me kritika në rritje që kur ra dakord për një marrëveshje me Presidentin Joe Biden për tavanin e borxhit në fillim të këtij viti.
“Shumë prej nesh i ishin lutur në mënyrë të përsëritur kryetarit, që të përdorte kërkesën për ngritjen e tavanit të borxhit për të nxitur shkurtimet e shpenzimeve dhe reformat. Përkundrazi, ai negocioi një rritje të pakufizuar të tavanit të borxhit”, tha ligjvënësi republikan Bob Good në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve të martën, duke u kërkuar kolegëve të tij të votonin për shkarkimin e zotit McCarthy.
Shumica e republikanëve votoi në favor të zotit McCarthy.
“Mendohuni mirë përpara se të na zhytni në kaos, sepse ai do të jetë rezultati nëse e lëmë atë post të zbrazët”, u shpreh ligjvënësi republikan, Tom Cole.
Por ishin votat e demokratëve që bënë të mundur shkarkimin e tij.
“Ne nuk do të votojmë në mënyrë të tillë që ta shpëtonte kryetarin McCarthy”, tha ligjvënësja demokrate Pramila Jayapal.
“Ai nuk është i besueshëm. Dhe këtë mund ta shohësh brenda grupit të tij, por edhe tek mënyra se si ka vepruar me ne dhe popullin amerikan”, tha ligjvënësja demokrate Annie Kuster.
Shkarkimi historik vjen në një moment kyç, pasi marrëveshja afatshkurtër e financimit të qeverisë nuk e përfshinte ndihmën për Ukrainën.
“E gjithë udhëheqja e Dhomës së Përfaqësuesve mbështet vazhdimin e ndihmës ndaj Ukrainës. Dhe shumica dërrmuese e republikanëve në atë dhomë mbështet vazhdimin e kësaj ndihme. Është një numër i vogël, por shumë i zëshëm që kundërshton. Por ata nuk përfaqësojnë partinë e tyre. Ata nuk përfaqësojnë udhëheqjen e tyre.”
Ligjvënësit amerikanë do të votojnë javën e ardhshme për një kryetar të ri të Dhomës së Përfaqësuesve, personi që është i treti në hierarkinë politike në Shtetet e Bashkuara, pas presidentit dhe nënpresidentit.