Pas skandalit korruptiv, PS i shet aksionet e tenderave të AKSHI-t 

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Disa javë pas goditjes së një grupi të strukturuar kriminal në krye të Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), mazhoranca socialiste ka depozituar një projektligj që synon t’i heqë kësaj agjencie kompetencën për kryerjen e tenderave të infrastrukturës digjitale dhe t’ia transferojë ato një shoqërie aksionere me pjesëmarrje shtetërore dhe private.

Nisma është firmosur nga deputeti i PS, Erjon Malaj, i cili propozon që AKSHI të mos kryejë më prokurime dhe të mos lidhë kontrata për ndërtimin apo mirëmbajtjen e sistemeve dhe platformave digjitale të shtetit. Këto funksione do t’i kalojnë një shoqërie TIK, ku shteti do të zotërojë të paktën 51% të aksioneve.

Nga hetimi penal, te ndryshimi i modelit

Projektligji vjen në një moment delikat, pas hetimit të bujshëm të Prokurorisë së Posaçme që zbuloi ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në krye të AKSHI-t, i dyshuar për kontrollin e tenderave me vlera dhjetëra milionë euro.

Mes të akuzuarve janë biznesmeni Ergys Agasi dhe drejtoresha jetëgjatë e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila u mor e pandehur për “shkelje të barazisë në tenderë”, në bashkëpunim në kuadër të grupit kriminal. Në dosje përfshihen gjithashtu emra të njohur të sektorit IT, mes tyre edhe Ermal Beqiri.

Në vend që të forcohen mekanizmat e kontrollit brenda institucionit, shumica duket se ka zgjedhur një rrugë tjetër: ndryshimin e arkitekturës ligjore.

Çfarë parashikon konkretisht nisma?

Projektligji kërkon:

• Shfuqizimin e disa pikave në nenet 4 dhe 29 të ligjit “Për qeverisjen elektronike”, që lidhen me kompetencat e AKSHI-t për prokurime të qendërzuara dhe lidhje kontratash.

• Heqjen e detyrimit të AKSHI-t për prokurime të klasifikuara si “sekret shtetëror” për administratën, mbrojtjen dhe sigurinë.

• Krijimin ose autorizimin e një shoqërie aksionere TIK me të paktën 51% pronësi shtetërore për zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të qeverisjes elektronike.

Në këtë skemë të re, AKSHI do të mbajë vetëm funksione standardizuese, arkitekturore dhe monitoruese, ndërsa sistemet dhe infrastruktura digjitale do të kalojnë në administrim të shoqërive operatore TIK.

Institucionet publike do të paguajnë këto shoqëri në bazë kontratash shërbimi për mirëmbajtjen dhe operimin e sistemeve.

Privatizim i kontrolluar apo zhvendosje e riskut?

Sipas të dhënave të mëparshme, subjektet që kanë fituar tendera nga AKSHI janë karakterizuar nga norma shumë të larta fitimi neto në raport me të ardhurat – një tipar që ka ngritur dyshime mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve publike në sektorin digjital.

Kritikët e nismës shohin rrezik në faktin që, në vend të një reforme të thellë transparente dhe forcimit të mekanizmave antikorrupsion, po krijohet një strukturë hibride publike-private ose thënë më shqip do ta kontrollojë prap ose Ergys Agasi ose nje Ergys Agasi tjetër i radhës.

Mazhoranca socialiste ka përdorur edhe më parë modelin e shoqërive aksionere me pjesëmarrje publike dhe private në sektorë të ndjeshëm. Por transferimi i tenderave të infrastrukturës digjitale – një fushë strategjike për sigurinë kombëtare dhe administrimin e të dhënave të qytetarëve – pritet të ngjallë debat të fortë politik dhe institucional.

Në thelb, pyetja mbetet:

A është kjo një reformë për të shmangur abuzimet, apo një rikonfigurim i sistemit për të ndryshuar adresën e përgjegjësisë? /Publik Media

Share This Article