Pas përfundimit të takimit me Bashën, kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka dhënë një prononcim për mediat ku la të nënkuptuar se ka një marrëveshje në parim me PD-në.
Mediu ka treguar detaje nga biseda me Bashën, ndërsa theksoi se mes palëve ka mirëkuptim për të dalë me lista dhe program të përbashkët, duke shtuar se me rëndësi është përmbysja e regjimit aktual. Sipas tij, ai është i gatshëm që të kandidojë kudo.
“Kemi mirëkuptim për të dalë me lista dhe program të përbashkët. Konkurrimi duhet të përfshijë njerëz dhe partitë politike që të maksimalizohet vota e opozitës për të përmbysur këtë regjim të korruptuar. Në analizë se ku janë zonat dhe se se do të funksionojë, është pjesë e diskutimit. E kam thënë, jam i gatshëm që të kandidoj kudo që t’i siguroj një votë opozitës. S’kemi folur për këtë gjë, por për pozicionin që ka PR në raport me peshë në votën elektorale. Nuk ka mandate PR në lista, por ka kontribute dhe konkurrime. S’ka vende të sigurta. S’mund të ketë vende të sigurta për kërkënd. PR ka peshën e saj elektorale. Ato vota duhet të jenë pozitive për mandate.”, tha Mediu.