Milan është në kërkim të një figure të fortë dhe me përvojë për të udhëhequr ringritjen e skuadrës pas një sezoni zhgënjyes, pa kualifikim në kupat europiane dhe me një lidhje gjithnjë e më të dobësuar me tifozët.
Emri që qëndron mbi të tjerët është ai i Massimiliano Allegrit. Italiani përputhet në çdo aspekt me profilin që kërkon klubi kuqezi: një trajner i suksesshëm dhe njohës i mirë i Serie A.
Allegri nuk është i huaj për ambientin e Milanit. Ai ka drejtuar skuadrën midis viteve 2010 dhe 2014, duke fituar një titull kampion dhe një Superkupë.
Më pas, me Juventusin, ai shtoi pesë kampionate të tjera, dy Superkupa dhe pesë Kupa të Italisë në CV-në e tij, duke u bërë trajneri me më shumë Kupa Italie të fituara në historinë e futbollit italian. Kjo eksperiencë dhe suksesi i vazhdueshëm e bëjnë atë një kandidat ideal për të marrë përsipër ringritjen e Milanit.

Klubi po shqyrton seriozisht rikthimin e tij dhe është gati të bëjë një investim të rëndësishëm ekonomik, duke i ofruar një kontratë trevjeçare – në përputhje me kohëzgjatjen e marrëveshjes së drejtorit të ri sportiv, Igli Tare.
Ndërkohë që Napoli është gjithashtu në pritje të një vendimi nga Antonio Conte, Milan kërkon të përfitojë nga kjo ndalesë e përkohshme e konkurrentëve për të përshpejtuar negociatat.
Qëllimi është të arrihet një marrëveshje brenda javës, megjithëse procesi nuk është i thjeshtë. Megjithatë, rikthimi i Allegrit do të ishte një sinjal i qartë: Milan është gati të kthehet te suksesi – dhe këtë do ta bëjë me një “garant” fitues në bankinë.