Pas tensioneve të së shtunës në veri të Kosovës, kjo fundjavë ka nisur e qetë, edhe pse me prani të forcave të njësisë speciale të policisë së Kosovës në të katër komunat me shumicë serbe.
Kryetari i Komunës së Leposavicit, Lulzim Hetemi, këtë të shtunë ka hyrë në zyrën e tij, i qetë dhe pa asnjë problem, edhe pse i shoqëruar nga forcat e policisë për të shmangur një tjetër përplasje. Situatë e qetë raportohet nga mediat e Kosovës edhe në Zvecan apo Zubin Potok. Ndërkohë në Leposavic ka qenë edhe vetë ministri i mbrojtjes, Xhelal Zvecla, i cili në një qëndrim me atë të Kurtit mbrëmë, tha se ajo që po bëjnë autoritet e Kosovës është legjitime.
“Ne jemi të bindur që të gjithë këto vështirësi do t’i tejkalojmë. Policia e Kosovës është Kosovës dhe këtu është Republikë e Kosovës”, ka thënë Sveçla për mediat.
Prej mbrëmjes së të premtes, me qetësimin e situatës dhe fill pas reagimit të Albin kurtit, që theksoi se çdo opsion tjetër në veri, do të ishte mospërmbushje e obligimeve, ndërkombëtarët, në një zë, bënë thirrje për kujdes, thirrje që shkonin kryesisht për qeverinë dhe institucionet e Kosovës.
SHBA, përmes DASH, thanë se Qeveria e Kosovës ka marrë veprime kundër këshillave të SHBA-së dhe ka paralajmëruar pasoja në raportet mes të dyja shteteve. Aleanca ushtarake e NATO-s i bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të çtensionojnë menjëherë situatën në veri të shtetit, një ditë pas përplasjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupeve lokale të serbëve.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”.
Njësoj reaguan edhe Bashkimi Europian dhe Eulex, duke dënuar përplasjet e ashpra mes policisë së Kosovës dhe protestuesve në Veri.