Pas vdekjes së Mbretëreshës, Britania drejt kartëmonedhave të reja me portretin e mbretit Charles

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Futja e kartëmonedhave dhe pullave të reja britanike me imazhin e mbretit Charles III do të zbatohen gradualisht. Posta Mbretërore britanike, Royal Mail, dhe Banka e Anglisë deklaruan se kanë marrë udhëzime nga familja mbretërore dhe nga Charles për të minimizuar kostot.

Kartëmonedhat që mbajnë portretin e mbretit do të dalin në qarkullim në mes të vitit 2024. Mbreti Charles do të shfaqet në kartëmonedhat pesë, 10, 20 dhe 50 paund. Royal Mail gjithashtu konfirmoi se imazhi i mbretit do të zëvendësojë mbretëreshën Elizabeth ll në pullat e reja të të gjitha kategorive.

Pullat speciale do të përfshijnë gjithashtu imazhin e mbretit. Royal Mail shtoi se pullat e reja me mbretin Charles do të hyjnë në qarkullim pasi të kenë mbaruar rezervat aktuale të pullave.

Banka e Anglisë dha një deklaratë për shtyp ku theksoi se ”kartëmonedhat që paraqesin portretin e mbretëreshës do të vazhdojnë të jenë të ligjshme dhe do të tërhiqen nga tregu vetëm nëse janë të dëmtuara”.

Pritet që monedhat e vulosura me imazhin e Charles të hyjnë në qarkullim brenda disa muajve. Emblema e re e mbretit do të shfaqet gradualisht gjatë muajve dhe viteve të ardhshme në ndërtesat qeveritare, dokumentet shtetërore dhe në disa kuti postare.

Share This Article