Sulmet ruse me raketa në brigjet e Detit të Zi të Ukrainës, dëmtuan 60,000 ton grurë dhe kanë shkatërruar infrastrukturën e magazinimit. Ministri i Bujqësisë, Mykola Solskyi tha se një “sasi e konsiderueshme” e infrastrukturës së eksportit ishte tashmë jashtë funksionit.
Rusia është tërhequr nga një marrëveshje ndërkombëtare për drithërat e arritur që në verën e vitit 2022, që garantonte kalimin e sigurt për eksportet përmes Detit të Zi.
Kremlini argumentoi prishjen e marrëveshjes se kërkesat e tij për eksportet ruse nuk ishin respektuar. Brenda disa orëve pas tërheqjes nga marrëveshja e grurit, Rusia goditi qytetet portuale jugore të Odesës dhe Mykolaivit.
Rusia shtoi sulmet gjatë natës të së mërkurës, të cilat synonin terminalet e grurit dhe infrastrukturën portuale në Odesa dhe më tej në bregun e Detit të Zi në Chornomorsk, dy nga tre portet që u përfshinë në marrëveshjen e eksportit.
Zëdhënësi ushtarak i Odesa-s, Serhiy Bratchuk e quajti atë një “sulm vërtet masiv”.
Ministri i Bujqësisë tha se 60,000 tonët e grurit të shkatërruar “supozohej të ngarkoheshin në një anije me tonazh të madh dhe të dërgoheshin përmes korridorit të grurit 60 ditë më parë”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se çdo sulm raketor ishte një goditje jo vetëm për Ukrainën, por për “të gjithë në botë që përpiqen për një jetë normale dhe të sigurt”.
Franca dhe Gjermania gjithashtu e dënuan sulmin. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se duke mbuluar Odesën me një breshër bombash, presidenti rus Vladimir Putin po i grabiste botës çdo shpresë për grurin ukrainas, duke goditur “më të varfërit në botë”.
Ministria e infrastrukturës publikoi një sërë fotografish që tregojnë dëmtime të kapanoneve dhe objekteve të tjera të grurit. Zyrtarët thanë se kishte pasur dëmtime në porta dhe rezervuarë, por ishin tregtarët dhe transportuesit ndërkombëtarë ukrainas që e kishin pësuar më shumë.
Komentatorët rusë të luftës thanë se dëmi dëshmoi se Kievi nuk ishte në gjendje të rrëzonte shumicën e raketave dhe dronëve rusë. Zyrtarët thanë se sulmi i koordinuar përfshinte raketa lundrimi Kalibr, raketa supersonike Onyx dhe anti-anije Kh-22, si dhe drone kamikaze, të qëlluara nga Deti i Zi, Krimea dhe Rusia jugore.
Edhe pse 37 raketa ruse dhe dronë u rrëzuan, një numër i tyre depërtuan në mbrojtjen e Ukrainës, thanë ata.
“Pashë një blic të kuq në dritare dhe reagova menjëherë”, tha një banor për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Zbrita poshtë, jashtë ishte zhurmë dhe kishte tym, njerëzit ishin në panik, disa qanin, copat e xhamave ishin shpërndarë gjithandej. Ishte e pamundur të qëndroje në zonë.”
Rusia e kishte quajtur sulmin e saj fillestar në Odesa një “sulm masiv hakmarrjeje” ndaj goditjes së urës së ndërtuar nga Rusia mbi ngushticën e Kerçit që lidh Krimenë e pushtuar me Rusinë. Dronët në det u fajësuan për sulmin e urës të së hënës që rrëzoi një pjesë të saj dhe vrau një çift rus.
Zyrtarët e instaluar nga Rusia mbyllën gjithashtu një seksion 12 km të autostradës Tavrida, që lidh qytetet e Simferopolit dhe Sevastopolit në Krimenë jugore me urën mbi ngushticën e Kerçit. Ndërtimi i rrugës nga autoritetet pushtuese ruse filloi në vitin 2017. BBC