Katër sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në tri ditët e fundit në pjesën veriore të vendit, ku janë përdorur armë e mjete të ndryshme.
Pas këtyre ngjarjeve, sot në orët e pasdites, siç raporton RTV Dukagjini, presidentja Vjosa Osmani ka mbledhur strukturat e sigurisë së vendit.
Ndryshe, pas sulmeve të tri ditëve të fundit ndaj Policisë së Kosovës, gjatë ditës kanë reaguar Presidenca, Qeveria e Kosovës dhe partitë opozitare Kosovë, të cilat kanë vlerësuar se këto sulme duhet të trajtohen me seriozitet si tentativë për destabilizim të gjithë rajonit të Ballkanit.
Edhe ambasadat e vendeve perëndimore dhe misionet ndërkombëtare i kanë dënuar sulmet, duke bërë thirrje që të mos bëhen veprime që mund të eskalojnë tensionet në atë zonë.
Blerim Vela, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një reagimi në Twitter ka thënë se këto veprime ndaj Policisë së Kosovë kanë për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë dhe asaj politike në vend.
Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga zonat më pak të kontrolluara të vendit. Në raporte të ndryshme ndërkombëtare, veriu i Kosovës përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga veprimtari të paligjshme.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.
Grupi i udhëhequr nga afaristi serb, Zvonko Veselinoviç, të cilin departamenti i Thesarit e cilësoi si shef të grupit të krimit të organizuar dhe një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.
Ky grup akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës, për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta si dhe trafikim të paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./