Një gjykatë ekuadoriane kundër korrupsionit dënoi me burg 8 persona dhe sanksionoi 3 kompani për rolin e tyre në një skemë të pastrimit të parave të lidhura me mafian shqiptare. Lajmin e bëri të ditur agjencia e lajmeve “Reuters” që citon burime nga zyra e prokurorit në vendin e Andeve.
Të dënuarit ishin pjesë e një rrjeti që dërgonte drogë nga Ekuadori në Evropë duke përdorur kompani të regjistruara për të pastruar asete me vlerë 43.4 milionë dollarë, sipas zyrës së prokurorit.
Të 8 personat morën dënime me më shumë se 17 vjet burg, ndërsa 4 nga ata që u shpallën fajtorë u dënuan gjithashtu për akuzat e krimit të organizuar lidhur me mafian shqiptare. Në Spanjë, disa të dyshuar të tjerë në lidhje me këtë rast do të përballen me gjyqe të veçanta.
Prokurorët e Ekuadorit zbuluan se një shtetas shqiptar, i identifikuar si Dritan Gjika, drejtonte rrjetin kriminal, së bashku me një biznesmen argjentinas dhe një ekuadorian. Grupi u dënua për krijimin e disa kompanive për të fshehur para dhe pasuri të paligjshme të lidhura me trafikun e drogës.
Gjika është në kërkim nga autoritetet ekuadoriane dhe akuzohet për skema fiktive të pastrimit të parave, trafik droge, drejtim të organizatës kriminale dhe krime të tjera. Prokuroria kërkoi një dënim nga 10 deri në 13 vjet për 8 të pandehurit dhe që të tre kompanitë të bllokohen dhe pasuritë e tyre të konfiskohen.