Në fshatin Ofiçinë në Bashkinë e Patosit, është aktivizuar një vatër e re zjarri, e cila rrezikon banesat. Policia identifikoi dhe shoqëroi në Komisariat autorin e zjarrvënies.
“Strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Oficinë, Patos, ka rënë zjarr, bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshurar të zjarrvënies. U shoqërua dhe po kryhen veprimet e mëtjeshme hetimore procedurale për arrestimin e shtetasit H. L., 72 vjeç, i cili ka ndezur zjarr për të djegur mbeturinat dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me ullinj dhe pemë të ndryshme në fshatin Ofiçinë.”- thuhet në njoftim.
Në vendngjarje ndodhen edhe shërbimet e Policisë Fier, disa grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Fier, si dhe shërbimet zjarrëfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e zjarrit. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
Një vatër zjarri është aktivizuar edhe në Drenovë të Mallakastrës. Mësohet është kërkuar ndihmë për ndërhyrje nga ajri, por një gjë e tillë është refuzuar për shkak të errësirës.
Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
“Po ndjekim situatën në Bashkinë Patos, fshati Margëlliç, ku po luftohet me zjarrin, i cili ka marrë përmasa tepër të mëdha. Forcat zjarrëfikëse të Patosit, Roskovecit, Fierit, kompanisë Albpetrol po punojnë në disa drejtime për të mbrojtur zonat e banuara, ndërsa janë nisur forca edhe nga Lushnja, Vlora dhe Berati. Policia e Shtetit ka dërguar efektivë të shumtë të FNSH, ndërsa ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie.”- shkruan Balla.