Rritja ekonomike globale pritet të bjerë me 4,4% në vitin 2020, sipas agjencisë ndërkombëtare të vlerësimeve “Fitch Ratings”, një rishikim i lehtë lart nga rënia prej 4,6% që parashikoi institucioni në një raport të mëparshëm në qershor.
“Një rimëkëmbje e lehtë u pa pas periudhës së pikut të pandemisë në mars dhe prill, por ne presim që ritmi i zgjerimit të moderohet së shpejti”, tha agjencia në një deklaratë.
“Ekonomia e Kinës ka rifituar nivelin e saj të parapandemisë dhe disa vende europiane kanë tejkaluar nivelet e shkurtit, megjithatë ka ende dyshime për një rimëkëmbje në formë V-je”, tha Brian Coulton, ekonomist kryesor në agjenci.
Agjencia e rishikoi objektivin e saj të pritshmërisë së PBB-së për SHBA nga -5,6% në -4,6% dhe nga 1,2% në 2,7% për Kinën.
Gjithashtu, “Fitch” rishikoi parashikimet e PBB-së për zonën e euros në -9% nga -8%, BM në -11,5% nga -9% dhe për tregjet në zhvillim, me përjashtim të Kinës, në -5,7% nga -4,7%.
Sipas Coulton, ritmi i zgjerimit në muajt e fundit nuk pritet të vazhdojë, sepse nxitja nga rihapja do të zbehet, zhvendosjet e tregut të punës do të kufizojnë shpenzimet e konsumatorit dhe firmat do të tërhiqen nga shpenzimet kapitale.