Ish-kandidati demokrat, Aulon Kalaja, e ka cilësuar të çuditshëm faktin që PD bashkoi votat një ditë më parë me PS për ngritjen e Komisionit Zgjedhor.
Kalaja tha se është e pakuptimtë që PD bashkon votat me PS kur ende nuk janë mbyllur plagët e 11 majit.
Sipas tij, dje PD “De Facto” pranoi humbjen në zgjedhje.
“Unë u çudita ditën e djeshme se si PD bashkoi votat me PS. Ne i kemi akoma plagët e hapura nga data 11 maj. Të ulesh me dhunuesin serial të zgjedhjeve dhe të bësh një marrëveshje të tillë duhet qartësi dhe sinqeritet. PD së pari duhet të bënte një analizë se pse i humbi zgjedhjet dje de facto pranoi humbjen. Pas analizës duhet të thoshte se çfarë sistemi na shërben neve. Mungesa e analizës do ta penalizojë akoma më rëndë. Kur bëhen marrëveshje të tilla duhet të ketë një projekt politik. Çfarë mendon PD për marrëveshjen e 2008-ës? Po për këtë sistem zgjedhor? Para se të japësh votën duhet të sqarosh qytetarët. Mungesa e këtij projekti serioz na çon në një votim të çuditshëm. Kodi aktual duhet hedhur në koshin zgjedhor, është antikushtetues”, u shpreh Kalaja.




