Pas Gjirokastrës, PD dhe LSI kërkojnë që të ripërsëriten zgjedhjet në qarkun e Beratit me argumentet se në disa qendra votimit ka patur parregullsi të rënda me materialet zgjedhore. Për 77 vota LSI nuk ka arritur të marrë mandatin në Berat, ndërsa PS me 25 prill u nda me 5 deputetë. Nëse do përsëriten zgjedhjet në Berat apo jo, KAS do ta vendosë të shtunën.
Me argumentin se mandati i 5 i PS në Berat dhe i pari i LSI-së ndahen për 77 vota, opozita kërkon nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve që të ripërsëriten zgjedhjet në këtë qark.
LSI me anë të përfaqësuesit të saj në KQZ, Altin Kaziaj pretendon nëpërmjet verifikimeve të bëra se ka mospërputhje mes procesverbalit të KQV-ve dhe raportit të pajisjes PEI.
Që ka patur shkelje në Berat e ka pranuar edhe PS, nëpërmjet përfaqësuesit të saj në KQZ-së, duke përmendur madje edhe kryerjen e një hetimi që sipas Salianjit janë vetëm gabime materiale.
Ashtu si LSI, edhe PD kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Berat me pretendimin se PS ka blerë votat me 50 mijë lek.
Por për anëtarin i KAS, Ilir Rusmajli, PD nuk ka sjellë prova, çka ka shkaktuar edhe debate mes tij dhe përfaqësuesit të PD.
Për ripërsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Beratit, 5 anëtarëve të KAS u është nevojitur më shumë kohë, dhe për këtë arsye vendimi pritet të merret të shtunën në orën 10:00.