Hysen Kadiu, kandidati që rezultoi më i votuari në procesin e Primareve të PD, por që u la jashtë listave të kandidatëve për deputetë nga Sali Berisha, ka reaguar pas fitores që PD mori në Kavajë.
Ai thumbon drejtuesit e PD në Tiranë, duke thënë se zgjedhjet fitohen me punë, jo me lojëra meskine, duke futur në listë të sigurtë njerëz pa lidhje.
“Kavaja tregoi edhe një herë se, përballë çdo vështirësie, triumfon dëshira dhe vullneti i demokratëve për ndryshim.
Përballë çdo padrejtësie të kundërshtarit dhe jo vetëm, kavajasit vulosën me votën e tyre fitoren e PD-së.
Puna dhe angazhimi i demokratëve të Kavajës dëshmuan se, përballë vështirësive të regjimit dhe lojërave meskine të atyre që u dhurohen vende në listën e sigurt, fitimtarë dalin ata që punojnë me seriozitet dhe përkushtim, pa u përfshirë në lojërat e pushtetit dhe duke u përqendruar te nevoja që kanë qytetarët për ndryshim.
Krenar për Kavajën dhe qytetarët e saj, ata që treguan sot e gjithmonë se demokracia triumfon në qytetin ku nisi lëvizja për ndryshimin e madh të viteve ’90. Një dëshirë dhe vullnet që nuk e ndal dot askush!”, shkruan Kadiu.