Partia Demokratike, shprehet se një javë pas fillimit të vitit të ri shkollor ajo që vihet re është trajtimi i mësuesve duke theksuar se nuk është marrë asnjë masë për të siguruar mësim cilësor.
Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi i PD, Ndriçim Mehmeti tha se “mësuesit detyrohen të punojnë me 2, 3 dhe 4 turne, nga 12 orë në ditë, pa pushim, pa ushqim, me një mbingarkesë skllavëruese vetëm për faktin se qeveria refuzon të shtojë fondet për shkollat dhe të rrisë numrin e mësuesve”.
“Me 30 minuta mësim dhe me mësues të rraskapitur, sakrifica e të gjithëve, e nxënësve, prindërve, mësuesve, nuk do të shpërblehet me dije më të mira. Është në detyrimin e qeverisë të respektojë rregullat që vetë ka shkruar. Në janar, Ministria e Arsimit nxori një rregullore ku thuhej se “mësuesi nuk mund të qëndrojë fizikisht më shumë se 30 orë në javë në shkollë”, deklaroi ai.
Sipas tij, brenda një ditë, mësuesve u duhet të ndërrojnë edhe deri në tre maska, duke shtuar shpenzimet e tyre dhe rënduar ekonominë familjare.
“Në mënyrë që fëmijët të mos dalin analfabetë funksionalë nga bankat e shkollës edhe pas këtij viti covid, janë disa masa emergjente që duhen marrë. Qeveria duhet të miratojë pa vonesë një buxhet shtesë, për vijimin normal të mësimit, i cili do të mbulojë këto nevoja bazike, shpërblimin e mësuesve për orët e zgjatura, marrjen në punë të mësuesve të rinj për të mbuluar ngarkesën e turneve, testimin serologjik dhe me tampon të mësuesve dhe stafit ndihmës, sigurimin e termometrave, dezinfektantëve dhe kushteve minimale higjeno-sanitare në shkolla dhe brenda tetorit, të bëhet certifikimi i shkollave, nëse përmbushin kushtet anticovid”, tha Mehmeti.