Partia Demokratike reagoi sot ndaj paraqitjes së kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë” në Shkodër duke u shprehur se kandidatët e “Shtëpisë së Ilirit” kanë vetëm një mision, të bëhen mburojë e “non grata”-s dhe të dëmtojnë Partinë Demokratike.
Në deklaratë e PD-së thuhet se “Aleanca e “non grata”-ve u shfaq edhe në Shkodër. Asnjë fjalë për Tom Doshin, vrer e mllef ndaj demokratëve të ndershëm që qëndrojnë sot kryelartë para çdo shkodrani e shqiptari, që as nuk kanë abuzuar me pushtetin e tyre dhe as nuk i kanë mashtruar si ata që rrethojnë “non grata”-n. Mashtrimet nuk e shpëtojnë dot”.
“Kandidatët e “Shtëpisë së Ilirit” kanë vetëm një mision, të bëhen mburojë e non gratës dhe të dëmtojnë Partinë Demokratike, për hallet dhe interesat e tyre. Demokratët e ndershëm shkodranë nuk mund të pranojnë të poshtërohen me kandidatë të LSI-së, që t’i përdorin më pas për pazarin e rradhës me Edi Ramën, siç bëri në 2013-ën. Demokratët nuk do të kthehen kurrë në shërbëtorë të aleancës së “non grata”-ve. Ata dhe çdo shqiptar e di se çdo votë për Berishën dhe Metën mban Ramën, çdo votë për Ramën mban Berishën dhe Metën”, thuhet në deklaratë./ATSH/




