Partia Demokratike i ka konsideruar ndryshimet e fundit të bëra në polici si një lojë për t’u hedhur hi syve të shqiptarëve. Deputeti i zgjedhur, Enkeljed Alibeaj, tha se krimi ndihet i paprekshëm, pasi sipas tij, i ka shërbyer pushtetit në rrëmbimin e të drejtës së qytetarëve për të votuar të lirë.
Partia Demokratike akuzon se drejtuesit e Policisë së Shtetit nga Drejtori i Përgjithshëm e me radhe, i shërbejnë krimit të organizuar.
Ai tha se Kryeministri bën rolin e shejtanbudallait kur kërkon të infiltruarit në Policinë e Shtetit, duke theskuar se vetë Rama ofroi modelin e bashkëpunimit me krimin.
Deklarata e Alibeajt:
Duke nisur nga Ardi Veliu, që jo më larg se 3 muaj më parë, mashtroi shqiptarët për të mbuluar lidhjet e Ramës me kriminelët që blenë vota për të në Elbasan.
Gjovalin Loka, i shkarkuar nga Drejtor i Rendit Publik pasi ka nxjerrë të dhëna për llogari të një grupi kriminal në veri, që është përfshirë në kanabzimin e Shkodrës dhe Lezhës, i përfshirë gjithashtu në procesin zgjedhor në Elbasan.
Edmond Traga, i emëruar në Berat, një nga zonat më të begata për kultivimin e hashashit, që shkon aty me eksperiencën me të cilën lejoi kanabizimin e Dibrës kur qarku u kthye në hambar droge. Neritan Nallbati, i lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi, apo Oltion Bitri, mik personal i Ardi Veliut, i njohur si gjobvënës i lokaleve të bllokut dhe ushtrues presionesh gjatë zgjedhjeve të ndryshme në favor të pushtetit.
Lorenc Shehu, gjobvënës për subjektet e OFL-së, që u përfshi në fushatën zgjedhore me grupet kriminale të Shijakut, në shërbim të Ardian Celën dhe Vangjush Dako. Apo Niko Brahimaj, që sipas SHISH paguhej për informacionet që jepte, dhe ka favorizuar trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi.
E kështu me radhë mund të listohen emrat e gjithë kësaj rokade që Rama quan reformë, por që në të vërtetë mund të përkufizohet si reformimi i klanit të sekserëve të Ardi Veliut.