Kryetari i PD-së Durrës Ferdinand Xhaferri i kërkon SPAK të hetojë dhënien me koncension të Portit të Durrësit.
Në një deklaratë për mediat, Xhaferri tha se është e disata herë që Partia Demokratike nga porti i Durrësit dhe për Portin e Durrësit ka denoncuar skandale të kësaj qeverie lidhur me këtë aferë korruptive. Porti i Durrësit është një aset ekonomik që po të shfrytëzohet si duhet mund të shërbente për të përmirësuar jetën e shumë familjeve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
“Por sikurse ne kemi ekspozuar me fakte, nuk po shfrytëzohet për të përmirësuar jetën e qytetarëve por po shfrytëzohet vetëm për të pasuruar xhepat e qeveritarëve. Kush është skandali më i fundit që ka denoncuar Partia Demokratike? Dhënia me koncension e kësaj hapësire këtu që quhet Terminali i Kontenierëve”, shprehet ai.
Po ashtu, Xhaferri shton se në tetor të vitit që kaloi Autoriteti Portual shpalli procedurat e tenderit. Në tender morën pjesë dy kompani. Njëra kompani gjermane, shumë e njohur në këtë sektor e cila menaxhon edhe Portin e Hamburgut, ndër portet më të njohura në Europa. Tjetra malteze, një kompani offshore. I vetmi fakt që dihet për këtë kompani është se një nga ish-drejtor i saj është hetuar për pastrim parash nga policia Malteze, një vend anëtar i Bashkimit Europian. Ministria e Infrastrukturës ndërhyn, bën tender me procedura të shkurtuara, me qëllimin që fituesin e tenderit të mos e vendosi transparenca dhe konkurrenca por fituesi i tenderit të parazgjidhet ai që ka vendosur Rama Beu.
“Është e natyrshme që askush nuk pret përgjigje nga Rama edhe për këto dy muaj, se ai nuk ka dhënë përgjigje për 8 vjet. Por ne presim përgjigje nga SPAK-u”, tha ai.




