Partia Demokratike ka bërë thirrje për një protestë që parashikohet të organizojë të martën para godinës së SPAK, për shkak të vonesave në hetimet për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar.
“Thirrje për protestë! Thuajse 3 vjet nga shembja kriminale e Teatrit Kombëtar dhe SPAK hesht. Heshtja është bashkëfajësi. Qytetarët kërkojnë drejtësi! Nesër në ora 10:00, përpara godinës së SPAK!”, shkroi në Facebook deputeti i PD, Belind Këlliçi.
Hetimi për prishjen e Teatrit Kombëtar nisi pas disa kallëzimeve të bëra nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, kundrejt disa personave, mes të cilëve kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, si edhe inxhinierët e Institutit të Ndërtimit që firmosën ekspertizën, mbi bazën e së cilës u mor vendim për shembjen e objektit. Artistët pretendojnë kryerjen e veprave penale të “korrupsionit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Prishja e Teatrit Kombëtar në 17 maj 2020 u pasua me protesta të shumta të opozitës dhe një pjese të komunitetit të artistëve. Në korrik 2021, Gjykata Kushtetuese pezulloi punën për ndërtimin e teatrit të ri, pasi vendosi të shpallë si antikushtetues ligjin special që qeveria miratoi në vitin 2018, nga ku nisi edhe rrugëtimi për shembjen e godinës. Por gjykata nuk arriti të caktonte nëse shembja e godinës së teatrit ishte antikushteutes apo jo. Kjo për shkak se për herë të parë, gjyqtarët u ndanë duke mos arritur kuorumin prej të paktën pesë votash, çka mundëson vendimmarrjen. Për sa i përket Vendimit të Këshillit Bashkiak, nuk u formua shumica prej 5 votash, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.