Partia Demokratike ka bërë publik vendimin e marrë në Këshillin Kombëtar për formimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal.
PD njofton se kjo aleancë do të jetë “një bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe do të angazhohet për marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.”
Më tej renditen edhe detyrat e ‘Aleancës’ dhe degëve në 61 bashkitë e vendit:
- Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë do të angazhohet gjithashtu, që, përmes një dialogu gjithëpërfshirës kombëtar, të hartojë një platformë të ndryshimeve të thella politike, kushtetuese dhe zgjedhore për t’i dhënë fund, përgjithmonë, modelit kriminalo-autokratik të Edi Ramës, që përqendroi të gjithë pushtetin dhe pasuritë e vendit në një grusht pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh grabitqarë dhe bandash mafioze, me qëllim që të vendosë standardet europiane të demokracisë, shtetit të së drejtës, lirive ekonomike e mundësive për të gjithë dhe mbështetjes sociale për shtresat në nevojë.
- Degët e Partisë Demokratike në bashkëpunim me partitë e tjera të Opozitës së Bashkuar, janë përgjegjëse që, brenda datës 15 Qershor 2019, të formojnë Aleancat Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel lokal, në 61 bashkitë e vendit. Ato duhet të fillojnë menjëherë procesin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe planin e masave që duhet të ndërmerren nё terren për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.
- Degët e Partisë Demokratike të fillojnë menjëherë procesin e kontaktimit të intelektualëve, pedagogëve, studentëve, shoqërisë civile, sipërmarrjes dhe faktorëve të tjerë ekonomiko-socialë në zonat e tyre, për t’i ftuar që të bëhen pjesë e Aleancës në nivel bashkiak.
Në njoftimin e PD-së thuhet se krijimi i ‘Aleancës’ është marrë duke mbajtur në konsideratë vendimin e muajit prill të Këshillit, ku përcaktohet se: “Në mbrojtje të demokracisë dhe të votës së lirë, Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale, të organizuar nga Qeveria ilegjitime e Edi Ramës. Përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar, Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga pakti i Edi Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e pista të tyre, shkatërrimtare për demokracinë dhe zgjedhjet e lira.