I ftuar në Euronews Albania, në Review me Greta Topjanën, ish-zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, u shpreh se Kryeministri Edi Rama nuk ka nevojë për ministër të Punëve të Jashtme, sepse sipas tij ai është vetë ministër i Jashtëm.
Peka u shpreh gjithashtu se vendimet që merr një ministër i Punëve të Jashtme bëhen me vendim dhe pëlqim të qeverisë dhe se ministri i Jashtëm është përcjellës i këtyre mesazheve politike për vendin.
“Debati flet apo s’flet, fole apo s’fole në telefon është një debat banal. A ka probleme brenda? Sigurisht që ka probleme brenda dhe ajo është nxjerrje e presioneve që kanë. Çështja e Elisës nuk është vetëm me Gjermaninë dhe kur ministri i Punëve të Jashtme bën vizita, i bën me miratimin e kryeministrit.
Ministri i Jashtëm është përcjellës i politikave të jashtme. Kontaktet që ka ministri i Jashtëm marrin pëlqimin e qeverisë. Rama s’ka nevojë për ministër të Jashtëm, sepse është vetë ministër i Jashtëm. Është kryeministri që është në vizita zyrtare më shumë se çdo kryeministër në historinë e Shqipërisë apo edhe në rajon.
Marrëdhëniet me jashtë i ka mbuluar Rama, ndërsa pjesa e Ministrisë së Jashtme është pjesa e burokracisë”, u shpreh Peka.


